Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi për një kolaps të një spitali në qytetin Khan Younis, për të cilin po luftohet nga forcat izraelite dhe organizata islamike palestineze Hamas.
”Spitalit ‘Nasser’ po i mbaron karburanti, ushqimet dhe furnizimi”, shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në platformën online X.
Qindra pacientë dhe personel spitalor kishin ikur për shkak të luftimeve dhe dërgimi i furnizimeve ishte i vështirë.
Sipas Ghebreyesus, aktualisht janë 350 pacientë dhe 5 000 persona të zhvendosur në spital.
Organizata e ndihmës ”Médecins Sans Frontières” njoftoi se kujdesi thelbësor mjekësor në spitalin ”Nasser” nuk ekzistonte më.
“Këto sulme sistematike kundër kujdesit shëndetësor janë të papranueshme dhe duhet të përfundojnë tani në mënyrë që të plagosurit të marrin kujdesin që u nevojitet. I gjithë sistemi shëndetësor është bërë jofunksional”, tha MSF në një deklaratë për shtyp.
Spitali është objekti më i madh shëndetësor në Rripin e Gazës, i cili ende funksionon.
Ushtria izraelite kohët e fundit ka intensifikuar sulmet e saj në Khan Younis. Ofensiva tokësore izraelite është një reagim ndaj masakrës së 7 tetorit, në të cilën Hamasi vrau 1 200 njerëz, përfshirë qindra civilë, në zonën kufitare izraelite.
Ata gjithashtu rrëmbyen më shumë se 200 pengje në Rripin e Gazës.


