Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.
“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.
“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.
Ditë më parë, Biden inkurajoi Serbinë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Këtë mesazh, lideri amerikan e përçoi përmes një urimi që i dërgoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në ditën e shtetësisë së Serbisë.
SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.
Palët ndër vite kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në praktikë. Një prej marrëveshjeve që faktori ndërkombëtar i kërkon me ngulm Kosovës që ta zbatojë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Po ashtu, vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit dhe u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.
BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar por është obligative për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.
Kosova do të shënojë përvjetorin e 16-të të pavarësisë më 17 shkurt. Por, ky përvjetor e gjen shtetin me raporte të tendosura me aleaten e tij, SHBA-në, e cila nuk po pajtohet me një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Rregullorja e BQK-së për para të gatshme, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht kundërshtive nga SHBA-ja.
SHBA-ja i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai u mor pa konsultim paraprak dhe pa marrë për bazë implikimet që mund të ketë në jetën e komunitetit serb në Kosovë, që përdor valutën serbe.
Ditë më parë, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me SHBA-në pas vendimit për ndalimin e dinarit.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sugjeroi të kundërtën.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti më 14 shkurt, një ditë pas deklaratës së O’Brien.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.


