Deputeti i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Oerd Bylykbashi u shpreh sot se ekoparku i Durrësit është një projekt korruptim që SPAK duhet pa vonesë të ndërhyjë dhe të vërë para drejtësisë nivelet më të larta.
Në një dalje për mediet, ai e cilësoi projektin si pjesë të megaskandalit korruptiv të inceneratorit.
“Është i lidhur drejtpërdrejtë me të në të gjitha aspektet. Jo vetëm në interesat korruptive, jo vetëm për faktin që e gjitha është konceptuar në lidhje organike me skandalin e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston. Pra mbetjet e Durrësit, ajo plagë e madhe mjedisore, sipas këtij projekti, do dërgoheshin në mënyrë korruptive në një incenerator që nuk ekziston”, tha Bylykbashi.
Ai paraqiti para medies disa argumente që sipas tij, janë dëshmi me fakte të pakontestueshme ndërsa deklaroi se është bërë gati kallëzimi penal që do depozitohet sot në SPAK
“Ekoparku është një projekt që bëri të pamundur zhvillimin e ndonjë projekti për trajtimin e mbetjeve urbane në Durrës që do ishte më i lirë, me më pak dëm për xhepat e qytetarëve dhe ambientin, dhe në çdo rast do të ishte i vërtetë”, tha ai.
“U prish e gjithë procedura e tenderimit për t’u bërë një negocim pa shpallje dhe për ta marrë përsëri Klodian Zoto, nëpërmjet një kompanie të ngritur përmes shoferit të tij. Nga 19 milionë euro që u tenderuan, u nënkontraktua më pas për 6.5 milionë euro. Pra, rreth 12.5 milionë euro shkuan në xhepat e atyre që arkitektuan këtë aferë korruptive”, tha Bylykbashi.


