Në nderim të 4 martirëve që u vranë më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër, Rithemelimi i Partisë Demokratike zhvilloi sot ceremoninë e vendosjes së kurorave.
Në ceremoni u dha një mesazh on-line edhe nga kryetari i Rithemelimit, Sali Berisha, i cili u shpreh se, “Artan Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besmir Ceka ranë në lule të rinisë së tyre, por sakrifica e tyre u shndërrua në dritë, në rrugën e shqiptarëve për zgjedhje të lira”.
“Sot, pas 33 vitesh, ne nderojmë dhe do nderojmë përjetë veprën e martirëve të 2 prillit”, shtoi Berisha.
“Kjo ditë e sakrificës sublime, e martirizimit të Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut dhe Besmir Cekës, është ditë kushtrimi, është ditë thirrje për çdo demokrate dhe demokrat, për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve”, theksoi Berisha.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit në PD, Flamur Noka, në një prononcim për medie pas ceremonisë së 2 Prillit tha se, “sot është dita kur shkodranët, qytetaria shkodrane u ngrit kundër diktaturës. 2 Prilli është një ditë që tregon edhe fytyrën gjakatare të regjimeve”.
“Ne ishim këtu sot në Shkodër dhe në memorialin e 2 Prillit për të përkujtuar këtë ditë historike, për të përkujtuar dhe shprehur mirënjohjen dhe respektin për veprën e katër martirëve të 2 Prillit dhe mirënjohje për qytetarinë shkodrane, e cila i ka dhënë një leksion të madh shoqërisë shqiptare”, tha Noka.
“Nga ky shesh i 2 Prillit, i bëjmë apel edhe qytetarisë shkodrane dhe gjithë shqiptarëve se është koha të ngrihemi, është koha të përballemi. Është koha që revoltën e shqiptarëve ta kthejmë në kryengritje dhe t’i japim vendit zgjedhje të lira dhe demokratike, të cilat duhet të vijnë nëpërmjet një qeverie teknike, e cila krijon besim mes palëve”


