Policia e Shtetit vijon zbatimin e masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli 2”.
Në kuadër të këtij operacioni në Shkodër është kapur në flagrancë një 32-vjeçar që zotëronte lëndë narkotike kanabis dhe fara kanabisi, në automjet dhe në banesë, me qëllim shitjen.
Gjithashtu i është sekuestruar lëndë e dyshuar narkotike, 115 fara kanabisi dhe 1 celular.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin L. R., 32 vjeç.
Në Shirokë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar për kontroll automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi L. R. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike “cannabis sativa”.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike “cannabis sativa” dhe 115 fara kanabisi, të cilat i posedonte me qëllim shitjen.
Lënda narkotike dhe farat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.