Meta: Partia e Lirisë kërkon marrëdhënie bashkëpunuese me fqinjët

Mos i humb

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta komentoi sot deklaratat e zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vulin, që Shqipëria e madhe ndalet vetëm nga bota Serbe, ndërsa i referohej takimit të Kryeministrit Rama në Athinë me diasporën shqiptare.

Meta, në një konferencë për mediet tha se këto deklarata janë një shërbim i kërkuar nga Kryeministri Rama, pasi në këtë formë kreu i qeverisë shqiptare shfaqet në publik si patriot.

“Deklarata e fundit e Vulin, është  një shërbim i kërkuar nga Edi Rama, për t’u paraqitur si patriot i madh që synon të bëjë Shqipërinë e Madhe, atë që po tretet falë projektit të tij. Jo vetëm kaq, por ky qëndrim i Vulin dhe thirrja e tij për t’u bashkuar, grekët dhe serbët, është qesharak dhe i turpshëm për të gjithë qytetarët e rajonit”, vijoi Meta.

“Nuk ka pasur dhe nuk ka kryeministër më të mirë sesa Edi Rama për Beogradin, pasi falë tij janë bërë dëme të jashtëzakonshme, së pari, me integrimin evropian dhe zvarritjen e tij. Është e ditur edhe se Rama është ndër të angazhuarit më fanatikë të projektit të ndarjes së Kosovës, është po ashtu një ndër themeluesit e Ballkanit të Hapur”, shtoi Meta.

“Është po ashtu autori i hedhjes në gjyq, të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kjo është bërë me porosi. I mban ison Serbisë dhe është bërë avokati më i flaktë i saj. Është ai i cili u vendos në shërbim të projektit të Ballkanit të Hapur që nuk ishte asgjë tjetër, veçse një alternativë kundër integrimit të BE dhe kundër Procesit të Berlinit”, u shpreh Meta.

Ai tha se Partia e Lirisë kërkon një marrëdhënie bashkëpunuese me fqinjët.

“Dua të theksoj se jemi të vendosur për një politikë të jashtme bashkëpunuese me të gjithë fqinjët duke parë integrimin Evropian. Edhe sa i takon marrëdhënieve me Serbinë. Nuk dëshirojmë të ndikojmë në zhvillimet e brendshme në Serbi, por duam të shohim një vend demokratik. Që nuk përpiqet të tjetërsojë pakicat, apo të humbasë adresat’, thekson ai.

Sipas Metës, “nga Serbia duhen marrë shembujt e mirë, të trajtimit të fermerëve, blegtorëve. Gjithsesi modeli kryesor mbetet Maqedonia. Do të marrim si i mbështet fermerët e saj, si mbështet blegtorët. Marrëdhëniet tona me Serbinë do jenë transparente në interes të të dyja vendeve, por do mbeten në interes të paqes, kurrë Shqipëria nuk do shfrytëzohet për t’i ngulur thika pas shpine Kosovës dhe asnjë vendi tjetër’, përfundon presidenti i Partisë së Lirisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit