Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për revokimin e masës “Arrest në shtëpi”.
Në seancën e së martës, prokurorët e SPAK kanë paraqitur pretendimin se Berisha ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke futur në banesë dhe kontaktuar me ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe gazetarët italianë të RAI.
Prokurorët kanë dhënë si argument faktin që Berisha nuk po e respekton as masën e sigurisë që i është vendosur dhe nuk mund të jenë dakord për heqjen e saj.
Sipas ligjit, Berishës i ndalohet që të dalë nga banesa, apo të takohet me persona që nuk janë pjesë e familjes së tij të ngushtë.
Thyerje të vendimit të Gjykatës së Posacme janë edhe vetë fjalimet që berisha mban përnatë nga ballkoni i shtëpisë duke u folur me mikrofon militantëve.
Ish kryeministri Berisha është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me masën arrest në shtëpi, si person nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.


