Dhoma e Avokatisë: Dhunë ndaj drejtësisë, përshkallëzojmë qëndrimin

Mos i humb

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar sot sërish lidhur me sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Në një deklaratë për mediet, Dhoma e Avokatisë thekson se “me shqetësim të madh është duke ndjekur në vijimësi ecurinë e gjendjes shëndetësore të kolegut dhe njëkohësisht profesorit të Fakultetit të Drejtësisë, Sokol Mëngjesi”.

“Duke marrë shkas nga ky akt tejet i rëndë kriminal, i cili në analizën e gjithë qëndrimeve është inkurajuar nga denigrimet e vazhdueshme bërë figurës së avokatit, duke filluar që nga vlerësimet e politikës, të administratës shtetërore, të trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të disa përfaqësuesve manipulues e keqadashës të medias e të publikut, kanë bërë që të frymëzojnë dhe ushqejnë eksese të tilla kriminale”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Komiteti Drejtues në mbledhjen e tij të ditës së Premte, bëri thirrje dhe kërkon nga të gjithë pa përjashtim, të respektojnë e të vlerësojnë me mirënjohje të veçantë rolin dhe kontributin e avokatit në funksionimin cilësor të drejtësisë.

“Dhuna ndaj avokatit është dhunë ndaj drejtësisë, ndaj gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit e noterit. Komiteti Drejtues i Dhomës, për këtë ngjarje të rëndë kriminale, shpreh keqardhjen për mungesën e një qëndrimi apo dënimit të tij, nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për atë ç’ka i ndodhi kolegut tonë. Duhet të bëjmë me dije që ligjvënësi në një nen të veçantë të Kodit Penal, për shkak të rolit dhe veprimtarisë të rëndësishme publike, vë në mbrojtje të cilësuar subjekte të tilla si deputetin, gjyqtarin, prokurorin, avokatin, ushtarakun dhe një sërë subjektesh që ushtrojnë funksione publike”, nënvizohet në deklaratë.

Dhoma e Avokatisë deklaron se do të përshkallëzojë qëndrimin e saj me qëllim mostolerimin e dhunës fizike apo psikike ndaj avokateve, si dhe në mbrojtje të dinjitetit profesional dhe interesave të jetës shëndetit e familjarëve të tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit