Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësorë, Naureda Llagami, tha sot se zbatimi me sukses i hartës së re gjyqësore ishte sfida e vitit 2023, ndërsa mbetet problematike infrastruktura.
E pranishme në seancën dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së KLGJ-së dhe sistemit gjyqësor gjatë vitit 2023, Llagami tha se, “në kushtet e një transformimi rrënjësor në sistemin gjyqësor, për shkak të zbatimit të hartës së re gjyqësore, ishte një vit përpjekje për të ruajtur aksesin në shërbimet gjyqësore, kapitalin njerëzor dhe më pas për të adresuar “deadlock” dhe kohën e arsyeshme të proceseve gjyqësorë”.
“Disa nga zhvillimet më të rëndësishme, gjatë vitit 2023 janë zbatimi me sukses i hartës së re gjyqësore, rekomandimi nr 3 i rezolutës së Kuvendit. Por, gjithashtu edhe rekomandim nga raporti i BE, në kuadër të së cilës kemi hartuar një paketë të plotë me 60 akte nënligjore, që garantuan funksionalitetin, mosndërprerjen e shërbimeve gjyqësore ndaj publikut, por edhe maksimizuan miradministrimin e burimeve njerëzore dhe financiare”, vijoi Llagami.
Sipas kryetares së KLGJ, “tashmë harta e re gjyqësore është një realitet, sfidë mbetet infrastruktura ndërtimore dhe e teknologjisë së informacionit. Por edhe burimet e nevojshme financiare për adresimin e këtyre nevojave. Sfida këto që janë bërë të ditura Kuvendit, por edhe ministrisë së Drejtësisë disa herë përmes kanaleve të komunikimit zyrtarë, por edhe publik.”
“Aktualisht mosdisponimi i trojeve për ndërtimin dhe infrastruktura e vjetër e Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Apelit Administrativë, si edhe Gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, jo vetëm që nuk krijojnë kushte për gjykime solemne, por nuk krijojnë kushte për kushte normale për burimet njerëzore. Situatë emergjente edhe në Gjykatat në Fier, Lezhë, Kukës, Berat e Shkodër”, evidentoi Llagami.
“KLGJ ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar sheshe ndërtimi dhe fondet të nevojshme buxhetore për përballimin e këtyre nevojave duke i përfshirë këto nevoja në programin buxhetor afatmesëm të sistemit gjyqësorë. Por pavarësisht kësaj ende s’kemi një zgjidhje konkrete nga qeveria


