Policia e Shtetit njofton finalizimin e dy operacioneve në kuadër të planit operacional “Sundimi i Ligjit”, duke ndaluar dy raste të armëmbajtjes pa leje.
Kështu, në Bulqizë u arrestuar një 30-vjeçar, të cilit iu sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin R.Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Sopot, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të banesës së 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 24 copë fishek, si dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.
Në Sarandë, u finalizua operacioni policor i koduar “Strike 16”, ku u arrestua në flagrancë me armë zjarri kallashnikov me vete, 29-vjeçari M.H. Arrestimi i tij u realizua në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, në afërsi të fshatit Bajkaj. Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.


