Kryebashkiaku i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka mbërritur fizikisht në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku do të vendoset për fatin e mandatit të tij. Beleri është shoqëruar nga makina e burgjeve në KQZ, ku do të vendoset nëse do i hiqet ose jo mandati i kryetarit të Bashkisë Himarë.
Avokatja e Belerit kërkoi ditën e djeshme në mbledhjen e KQZ-së që Beleri të përfaqësojë personalisht pretendimet e tij. Beleri është dënuar me 2 vite burg për shit-blerje votash për zgjedhjet e 14 Majit të vitit të shkuar.
Ndërkohë administrata zgjedhore në relacion thotë se Beleri nuk mund ta ushtrojë detyrën e kryetarit të Bashkisë Himarë për shkak se është i dënuar me vendim të formës së prerë.
Në këto rrethana, thuhet në relacion se Beleri nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Në rast se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk do të ketë një vlerësim ndryshe nga sa bën administrata e KQZ-së, atëherë do të duhet të shpallet vakanca dhe KQZ duhet të njoftojë presidentin, i cili brenda 45 ditësh nga marrja e vendimit do duhet të caktojë një datë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.


