Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur dyshime se rezultatet e shpallura nga komisioni zgjedhor i Venezuelës, të cilat treguan se Nicolas Maduro ka fituar zgjedhjet, në fakt nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit venezuelian.
“Ne kemi shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian”, tha sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken gjatë një vizite në Tokio, raportuan sot mediet amerikane.
Blinken i bëri thirrje komisionit zgjedhor të publikojë rezultatet e plota, duke thënë se “është kritike që çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente”.
Opozita nuk e ka njohur fitoren e raportuar të Maduros dhe pretendon se ka fituar zgjedhjet.
Blinken u bëri thirrje autoriteteve zgjedhore të Venezuelës që “të ndajnë menjëherë informacionin me opozitën dhe vëzhguesit e pavarur”.
“Komuniteti ndërkombëtar po e vëzhgon këtë nga afër – dhe do të përgjigjet në përputhje me rrethanat”