Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se do të hapet një diskutim i gjerë publik nëse qeveria duhet të vendosë filtra për rrjetet sociale apo të ndalojë plotësisht përdorimin në territorin e Shqipërisë të Tik Tok apo Snapchat.
Gjatë një komunikimi me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, Rama u shpreh se garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive, por nuk janë po kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte kaq sfiduese.
“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e tanishme në Europë apo përtej saj mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët”, tha Rama.
Ndërkohë, sipas tij, “stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve vetëm rriten”.
“Apo nëse dihet të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tok-ut dhe pse jo dhe Snapchat në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim në një diskutim të gjerë në të gjitha komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh dhe kompleks në përmbajtjen dhe zgjidhjen e vetë”, tha Rama.


