Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor për ata që ndërtojnë pa leje, përtej lejes, apo për qëllime fitimi, ka nisur e po shtrihet në zonat rreth Tiranës, ku ndërtuesit, mbikqyrësit, inspektorët, që kanë shkelur kushtet e lejeve për vila e godina të shtrenjta, do të përballen me masat administrative e penale, që parasheh legjislacioni në fuqi.
Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu ishte sërish sot në Farkë, ku theksoi se çdo ndërtim pa leje apo tejkalim i saj do të ndëshkohet me gjobë, kallëzim penal dhe prishje të menjëhershme.
Koçiu theksoi se “kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin, nuk janë vetëm çështje individësh që ndërtojnë pa leje por shpesh lidhen edhe me mospërmbushje të detyrës nga ana e punonjësve publike”.
“Askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Prandaj masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie”, nënvizoi ministrja.
Sipas ministres “në këtë proces ndërtuesit duhet të jenë të parët që tregojnë kujdes”.
“Shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë nga ajo që është lejuar do të penalizohet rëndë me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme”, tha Koçiu.
Në të njëjtën kohë, ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm kur blejnë një pronë, të verifikojnë dokumentacionin dhe statusin ligjor të objektit, duke shmangur kështu çdo mashtrim apo abuzim.
“Të gjitha këto masa po zbatohen mbi bazën e paketës ligjore të miratuara në fillim të muajit tetor e cila ka forcuar më tej mekanizmat e kontrollit të territorit dhe sanksionet ndaj çdo shkelje”, tha ministrja.
Koçiu theksoi se mbrojtja e territorit nuk ka kthim pas.


