Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se përgjegjësia për vonesën e formimit të Qeverisë u takon partive politike.
Osmani, e pyetur nga mediat për seancën që ende nuk është thirrur, tha se me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, e pastaj përgjegjësia është në duart e partive politike.
“Ftesa si seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve dhe jam e bindur që ajo do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese për formimin e qeverisë. Ndërsa nga ana tjetër, nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati dhe pastaj është në duart e deputetëve, partive politike se çfarë diskutojnë. Këto janë procese që nuk kam ndërhyrë më parë dhe nuk mund të ndërhyjë as tani. Kam pasur shpresë që do të ftohet më herët bazuar në bisedat që kemi pasur”, tha Osmani.
Osmani tha se vonesat nëntë mujore për krijimin e Qeverisë së re nuk janë në përgjegjësinë e saj si presidente pasi në çdo rast ka respektuar Kushtetutën.
Osmani tha se ekipi i saj ligjor ka analizuar mënyrat dhe se kanë ardhur në një konkluzion se mënyra e vetme që kjo bllokadë e buxhetit të kryhet është përmes formimit të komisionit për buxhet dhe financa.
Osmani shtoi se si presidente ka treguar gatishmëri të takohet edhe me parti politike, por sipas saj, në vend se të mirëpritet një iniciativë e tillë, janë arsyetuar secili prej deputetëve që po bllokojnë formimin e një komisioni të tillë.
Osmani tha se me formimin e komisionit, buxheti miratohet për pesë minuta.
Presidentja u bëri thirrje të gjithë deputetëve pa dallim paritë, që të votojnë planin e rritjes, marrëveshjen me Bankën Botërore, ku janë në pyetje një miliardë euro.


