Dëmtohet një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit

Mos i humb

Policia e Kosovës ka njoftuar se një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok është dëmtuar “me mjete të forta” nga persona të panjohur.

Petrit Fejza nga Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se punëkryesi në këtë kanal e ka raportuar dëmin më 25 nëntor dhe hetuesit tani janë duke punuar për të zbardhur rastin.

“Dje është lajmëruar nga punëkryesi që najloni që është duke punuar është dëmtuar. Është një pjesë e najlonit që është shtruar kanali dhe është dëmtuar. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë kryer vendshikimin. Është hap rast dhe hetuesit janë duke punuar në këtë drejtim”, tha ai.

I pyetur se me çfarë mjetesh të forta konkretisht dyshohet të jetë shkaktuar dëmi, ai tha se “nuk kemi më shumë informacione”.

Raportimet për dëme në këtë kanal vijnë pothuajse një vit pasi në Ibër-Lepenc, në fshatin Varragë, ndodhi një shpërthim.

Për shpërthimin e 29 nëntorit të vitit 2024, Kosova e fajësoi Serbinë, por Beogradi i mohoi akuzat.

Kosova e konsideron shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist.

Shtetet e Bashkuara kishin deklaruar pas shpërthimit se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin, por se ishte herët për të nxjerrë përfundime. Në hetimet për shpërthimin janë përfshirë edhe agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Prokuroria Speciale është duke e hetuar shpërthimin e 29 nëntorit, por deri më tani nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur. Për rastin janë arrestuar dhjetëra të dyshuar dhe janë sekuestruar armë dhe eksplozivë.

Megjithatë, vetëm Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq janë dërguar në paraburgim.

Autoritetet dhe Policia e Kosovës kanë dekaruar më herët se janë përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë për të hedhur në erë kanalin dhe se ky ishte sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike të vendit në periudhën pas luftës.

Dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë euro.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit