Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme për votuesit e regjistruar për votim me postë jashtë Kosovës, me qëllim lehtësimin e procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme.
Sipas KQZ-së, kutitë postare janë aktive në Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
KQZ ka nisur më 14 dhjetor dërgimin e pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votues të regjistruar jashtë vendit. Fletëvotimet janë shtypur në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor, pas së cilës është bërë përgatitja e pakove individuale për secilin votues.
Çdo dërgesë postare është e pajisur me numër unik gjurmimi, që u mundëson votuesve të ndjekin vendndodhjen e pakos me fletëvotim.
Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. KQZ u bën thirrje votuesve që të dërgojnë pakot sa më shpejt, në mënyrë që ato të mbërrijnë me kohë në Kosovë për procesin e numërimit.


