Dervishi: Zbatimi praktik i ligjit për të drejtën e informimit, ende i paqëndrueshëm

Mos i humb

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi u shpreh sot, se transparenca përbën një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë.

Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Konferenca shërbeu si një platformë kombëtare dialogu mbi sfidat e transparencës institucionale në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke vënë theksin në rolin mbikëqyrës të Komisionerit, përgjegjësinë e institucioneve publike dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Në Konferencën VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, autoritete publike, partnerë evropianë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave të medias, Dervishi nënvizoi se transparenca është një e drejtë kushtetuese për shtetasit, një detyrim për zyrtarët publikë, një standard etik dhe një kulturë pune që nxit integritetin në çdo hallkë të administratës publike.

Dervishi tha se raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 thekson se ligji për të drejtën e informimit në Shqipëri është në përputhje të gjerë me standardet evropiane, por zbatimi praktik mbetet ende i paqëndrueshëm.

“Autoritetet publike vijojnë të përdorin justifikime të përgjithshme lidhur me interesin publik për publikimin e informacionit, më të përditësuar në faqen e Autoritetit Publik , si edhe të informacioneve të dobishme për qytetarët dhe interesin publik”, tha ai.

“60-70% e ankesave që vijnë në zyrën e Komisionerit marrin menjëherë zgjidhje, pasi ndërhyn zyra jonë, pasi krijohet një inflacion kërkesash krejtësisht i panevojshëm, pavarësisht përpjekjeve për të krijuar një kulturë komunikimi, nëpërmjet arsyetimeve të detajuara, kërkesave për parashtrime, gjatë seancave dëgjimore publike pranë Zyrës së Komisionerit, por edhe trajnimeve të shumta që kemi zhvilluar lidhur me pabazueshmërinë, lidhur me argumentet në refuzimin e dhënies së informacionit”, tha Dervishi.

Sipas Dervishit, instrumenti i transparencës proaktive, informacioni që duhet të japin autoritetet publike janë fytyra me të cilën duhet të përfaqësohen autoritetet publike.

“Ka mangësi në thuajse të gjitha rubrikat e tij dhe kjo sjellë përveç kufizim informacioni për qytetarët dhe penalizim për autoritetet publike. Zbatimi i drejtë i ligjit për të drejtën e informimit, kërkon angazhim të përbashkët nga të gjithë institucionet publike, me kontributin e medias, shoqërisë civile, etj”, pohoi Dervishi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit