Nis sot sesioni i ri parlamentar me fokus te integrimi në BE, reforma zgjedhore dhe territoriale

Mos i humb

Kuvendi mblidhet sot në orën 17:00′ në seancë plenare për hapjen e Sesionit II të Legjislaturës XI.

Me një agjendë të ngjeshur parlamentare, ky sesion pritet të ketë në fokus dy reforma të rëndësishme, atë për Kodin Zgjedhor dhe reformën administrativo-territoriale.

Edhe pse janë konstituuar në nëntor 2025, puna në dy komisionet e posaçme parlamentare ende nuk ka nisur pas bojkotit të opozitës.

Ndërkohë, mazhoranca ka përsëritur thirrjen për uljen e opozitës në tryezë për realizimin e këtyre dy reformave të rëndësishme, ndërsa ka paralajmëruar se do të vijojë punën, edhe pa praninë e saj.

Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ka objekt të veprimtarisë së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për Kodin e ri Zgjedhor, trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Ndërsa reforma administrative-territoriale synon të përmirësojë në mënyrë të qenësishme shërbimet që marrin qytetarët në të gjithë territorin, ndërkohë që lidhet ngushtësisht edhe me integrimin në Bashkimin Europian.

Punimet e sesionit të shkuar parlamentar u mbyllën në një klimë të tensionuar politike, që kulmoi me kontestimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga opozita.

Konferenca e Kryetarëve do të shqyrtojë sot kalendarin dhe programin e punës për 5 javët në vijim, ndërsa në orën 17:00 deputetët do të mblidhen në seancë plenare.

Këshilli i Imuniteteve pritet të mblidhet në 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka kërkuar që përveç reformave të tjera në proces, duhet menduar edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese, ndër të cilat edhe rishikimin e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas tij, “parlamenti aktual me 140 deputetë mund të reduktohet në 100, një hap që do të pritej pozitivisht nga publiku dhe do të sillte racionalizim të forcave dhe burimeve”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit