Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur se Groenlanda është thelbësore për realizimin e maksimal të programit të mbrojtjes hapësinore të SHBA-ve, e njohur si “Kupola e Artë”, duke shkaktuar shqetësim në Danimarkë dhe brenda Aleancës së NATO-s. Programi u promovua me urdhër ekzekutiv më 27 janar 2025, një javë pas marrjes së detyrës nga Trump, dhe synon të krijojë një mburojë kundër raketave me rreze të gjatë, përfshirë edhe ato me kapacitete bërthamore.
Sistemi, i frymëzuar nga “Kupola e Hekurt” izraelite, por me kapacitete shumë më të avancuara, përbëhet nga një arkitekturë me shumë shtresa: satelitë dhe radarë identifikojnë raketat dhe aktivizojnë platforma të ndryshme kundër-ajrore, duke përfshirë bateritë Patriot dhe Thaad, si dhe interceptues të instaluar edhe në anije lufte. Qëllimi nuk është të zëvendësojë mbrojtjen ekzistuese, por të forcojë kapacitetin dhe të mbyllë dobësitë, përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia dhe Kina.
Trump nuk ka dhënë detaje të plota se si do të përfshihet Groenlanda, por ekspertët dhe qeveria daneze thonë se ishulli mund të shërbejë për radarë ose baza kundër-ajrore, pa pasur nevojë për blerje apo pushtim të territorit.
Marrëveshja mbi sigurinë e vitit 1951 i lejon SHBA-ve të vendosë bazat që i duhen, duke respektuar vetëm procedurat konsultative me autoritetet lokale.
Për financimin, Kongresi ka akorduar deri tani 24.4 miliardë dollarë për projektimin dhe testimet e para, ndërsa Shtëpia e Bardhë parashikon një buxhet total prej 175 miliardë dollarësh, megjithëse Zyra Buxhetore e Kongresit llogarit se mund të nevojiten më shumë se 500 miliardë dollarë për ta përfunduar projektin deri në fund të mandatit të Trump në janar 2029.
Programi “Kupola e Artë” vjen në kohën kur SHBA-të po përpiqen të mbajnë avantazhin mbi teknologjitë raketore të Rusisë dhe Kinës, duke synuar të krijojë një shtresë mbrojtjeje që do të bëjë të vjetërsuara raketat më të rrezikshme në botë.


