Rusi: Të investohet në infrastrukturën e gjykatave, ndryshime ligjore për të rritur sigurinë

Mos i humb

Në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u zhvillua sot seancë dëgjimore në lidhje me sigurinë në gjykata me kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.

Duke iu referuar vrasjes së gjyqtarit të gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, Rusi tha se “mungesa e shtuar e forcave të policisë ndikoi në këtë ngjarje tragjike”.

Kreu i KLGJ-së, theksoi se shqetësimi për sigurinë në gjykata duhet të jetë një çështje kombëtare dhe jo e lokalizuar e vetë sistemit, pasi ka të bëjë dhe me sigurinë kombëtare, të shtetit dhe qytetarëve.

Rusi tha se kanë kërkuar “shtimin e forcave policore në mjediset e gjykatave”.

Për këtë vit theksi Rusi “KLGJ në tërësinë e fondit të parashikuar për investime ka parashikuar një fond prej 53 milionë lekë, me qëllim që të implementojë një projekt e sigurisë në një gjykatë. Pak godina ka që janë konceptuar gjykata që në momentin e parë të ndërtimit të tyre. Në po shohim që ta implementojmë këtë projektin e sigurisë në një godinë që mendojmë se është e përshtatshme”.

Njëkohësisht, shtoi Rusi “kemi parashikuar edhe shpërndarjen e fondeve buxhetore në gjykata, për të rritur nivelin e sigurisë, kamera, sisteme alarmi, detektorë, skanera bagazhesh”.

Rusi bëri të ditur se nga ana e KLGJ-së janë ngritur tre grupe pune për verifikimin e kushteve të sigurisë në gjykata, ku theksoi se në të gjitha gjykatat në vend ka mungesë të elementëve bazike për të garantuar sigurinë në gjykata.

“Është fakt për t’u thënë se në të gjitha godinat ku sot ushtrohet funksioni gjykatës për të dhënë vendime, pa folur për ato gjykata që kanë zyra shërbimi, që nga gjykatat e nivelit të parë në Tiranë, gjykata e nivelit të dytë në rrethe dhe gjykatat e nivelit të tretë, të gjitha kanë nevojë për ndryshime në infrastrukturë, me qëllim që të implementojmë konceptin e sigurisë në gjykata. Ka mungesë të elementëve bazikë për të garantuar sigurinë në gjykata.

“Ekzekutivi dhe më tej, duhet të fillojë që të ndërtojë godina të dedikuara për gjykata dhe në atë moment të implementojmë teknologjinë bashkëkohore dhe elementët përkatëse”, tha ai.

Sa i përket ruajtjes së godinave, Rusi tha se ka disa modele në Evropë.

“Mund të jetë modeli gjermano-austriak ku ka një ligj të posaçëm vetëm një trupë policore apo trupë të dedikuar për sigurinë në gjykata. Ose sipas modelit italian dhe francez, ku një forcë e përcaktuar është e dedikuar për të ruajtur godinat e gjykatave apo institucioneve të tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë”, tha ai.

Rusi nënvizoi gjithashtu se kanë ngritur një grup pune në lidhje me “ndryshimet ligjore të gjithë paketës, qoftë të ligjeve të Reformës në Drejtësi, ligjeve procedurale, po sidomos të atyre akteve nënligjore që kanë të bëjnë me sigurinë në gjykata”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit