Bardhi: Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet për Ballukun, pa shtyrje artificiale

Mos i humb

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në legjislacion për problemin e pazgjidhur nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e pezullimit nga detyra të një ministri. Bardhi theksoi se ndryshimi i ligjit gjatë hetimit shërben për të mbrojtur pushtetin e tij, dhe jo parimet kushtetuese.

“Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten”, u shpreh Bardhi në reagimin në rrjetet sociale.

Ai shtoi se përpjekjet e qeverisë dhe Kuvendit për të sfiduar vendimin e dy gjykatave në lidhje me hetimin penal tregojnë presion të organizuar ndaj drejtësisë.

Bardhi gjithashtu u ndal edhe tek vonesa sipas tij e trajtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe”, shkruan Bardhi.

Ai nënvizon se pezullimi nga ushtrimi funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut, por është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale.

“Ai vlen për çdo funksionar publik. Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër. Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit”, tha Bardhi.

Bardhi shpjegoi se arresti dhe pezullimi janë masa paralele, ku njëra mbron procesin penal, tjetra institucionin.

Bardhi kërkoi që Këshilli i Mandateve të mblidhet, sipas tij, pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. “Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”, përfundoi kreu i grupit parlamentar të PD-së.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit