Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare deklaratën e përbashkët për të mbështetur pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Deklarata u hartua nga deputeti Igli Hasani dhe Tritan Shehu ndërsa kërkesa u hodh nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla në nisje të seancës së sotme plenare.
Në deklaratë shprehet shqetësimi për kërkesën e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë për 45 vite burg për secilin nga ish- udhëheqësit e UÇK-së, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Projektdeklarata u lexua nga deputeti Igli Hasani. Në të Kuvendi shprehet se lufta e UÇK-së ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e popullit të Kosovës, për lirinë, dinjitetin dhe vetëvendosjen e tij.
“Kuvendi i Shqipërisë, në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese dhe në përmbushje të rolit të tij si përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar, shprehu shqetësimin e thellë për kërkesën e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka ngritur akuza ndaj udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-ministrin Rexhep Selimi. Kuvendi i Shqipërisë, duke marrë parasysh vlerën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për lirinë, dinjitetin dhe vetëvendosjen e popullit të Kosovës, në përputhje me të drejtat ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi shpreh shqetësimin se kërkesa e Prokurorisë Speciale mund të krijojë një rrezik të madh për të barazuar luftën legjitime të popullit të Kosovës për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit të Millosheviçit, i cili realizoi një fushatë të pastrimit etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.
“Për këtë arsye, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka deklaruar mbështetje të plotë dhe të pacenueshme për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë qenë dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejtësisë dhe të drejtat e popullit të Kosovës, si dhe të luftës së drejtë të tyre, të mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut”, thuhet më tej.


