Hapet tenderi 90 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

Mos i humb

Hekurudha Shqiptare njoftoi pak ditë më parë çeljen e procedurës ndërkombëtare të prokurimit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një nga segmentet më strategjike të rrjetit kombëtar të transportit.

Njoftimi i tenderit është publikuar në platformën zyrtare të Bashkimit Evropian për prokurimet publike (TED), me procedurë të hapur dhe afat dorëzimi ofertash në qershor 2026.

Bashkimi Europian është edhe financuesi kryesor i këtij projekti përmes një marrëveshjeje që u nënshkrua në prill të vitit të shkuar që siguronte një grant 60.5 milionë euro nga fondet e BE në kuadër të Kornizës për Investimet në Ballkanin Perëndimor dhe 30 milionë euro hua nga Banka Europiane e Investimeve.

Sipas dokumentacionit zyrtar, fondi i vënë në dispozicion për këtë kontratë është 90 milionë euro dhe mbulon punimet kryesore të ndërtimit dhe modernizimit të linjës ekzistuese, që lidh portin më të madh të vendit me nyjën hekurudhore të Rrogozhinës.

Projekti parashikon rehabilitimin e rreth 34 kilometrave linjë, përfshirë rindërtimin e trasesë hekurudhore, veprave të artit si ura dhe kalime, si dhe modernizimin e plotë të sistemeve të sinjalistikës dhe telekomunikacionit në përputhje me standardet evropiane të sigurisë.

Punimet përfshijnë gjithashtu rikonstruksionin e stacioneve përgjatë itinerarit dhe përgatitjen e infrastrukturës për elektrifikim në një fazë të mëvonshme, duke rritur kapacitetin për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.

Linja Durrës–Rrogozhinë konsiderohet një hallkë kyçe për lidhjen e portit të Durrësit me korridoret rajonale të transportit(Korridori VIII) dhe për integrimin gradual të Shqipërisë në rrjetin hekurudhor evropian.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së financimit me BE vitin e shkuar zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi këtë nyje të rëndësishme jo vetëm për tregtinë por edhe sigurinë duke e cilësuar atë si një o të shërbejë si një rrugë kritike midis Shteteve Anëtare dhe NATO-s për mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore, jashtëzakonisht e rëndësishme në mjediset aktuale të sigurisë.

Projekti sipas dokumenteve

Hekurudha nuk do të elektrifikohet menjëherë por ajo do të krijojë kushtet që ky hap të hidhet më vonë. Projekti ndjek gjurmën ekzistuese.

Pika e nisjes është afër stacionit të Shkozetit (km 1+876) ndërsa pika e mbarimit: stacioni i Rrogozhinës.

Linja kalon nëpër zona urbane, gjysmë-urbane dhe rurale. Terreni është kryesisht i sheshtë, përveç një segmenti të shkurtër pranë Rrogozhinës, ku kalon përmes tunelit të Rrogozhinës. Nga km 1+376 deri në km 5+100 (Shkozet–Plepa), kalon në një zonë me dendësi të lartë popullsie.

Ky segment përfshin trekëndëshin e Shkozetit — nyja ku linja Tiranë–Durrës takohet me linjën Durrës–Rrogozhinë. Nga km 5+100 deri në km 15+000 (Plepa–Kavajë), kalon në terren të ulët dhe formacione kodrinore në lindje. Traseja horizontale ndjek autostradën Durrës–Rrogozhinë.

Nga km 15+000 deri në km 28+000, kalon në terren pothuajse të sheshtë. Në km 19+120 ndodhet stacioni i Kavajës. Nga km 28+000 deri në km 35+384, traseja kalon në terren kodrinor ku ndodhet tuneli i Rrogozhinës (me gjatësi 380 m)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit