UKRAINË – Hyn në fuqi armëpushimi në centralin e Zaporizhias për të lejuar riparimet

Mos i humb

Një “armëpushim lokal” ka hyrë në fuqi në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë, për të mundësuar riparimin e një linje kyçe të furnizimit me energji elektrike, njoftoi sot Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Central bërthamor i Zaporizhias, i vendosur në juglindje të Ukrainës, është më i madhi në Evropë.

Ai u mor nën kontroll nga forcat ruse menjëherë pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

Objekti është dëmtuar vazhdimisht gjatë luftimeve, duke ngritur shqetësime për një aksident të mundshëm bërthamor.

Edhe pse reaktorët janë ndalur si masë paraprake, ata kanë ende nevojë për energji elektrike për sistemet e ftohjes.

IAEA-ja bëri të ditur se aktualisht po zhvillohen punime për të rikthyer furnizimin rezervë me energji prej 330 kilovoltësh.

Sipas kreut të agjencisë, Rafael Grossi po kryhen edhe operacione çminimi për të garantuar akses të sigurt për ekipet e riparimit.

Furnizimi përmes linjës së dëmtuar është ndërprerë më 10 shkurt, ndërsa një linjë tjetër prej 750 kilovoltësh ka mbetur funksionale.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga IAEA-ja u konfirmua edhe nga kreu i kompanisë shtetërore ruse për energjinë bërthamore, “Rosatom”, Alexey Likhachev, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Palët ndërluftuese kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për bombardimin e centralit.

Ndërprerjet e shkaktuara nga luftimet kanë bërë që IAEA-ja  të ndërmjetësojë disa armëpushime të kufizuara për të lejuar kryerjen e riparimeve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit