Muçollari: Zjarri në Tiranë nuk është rastësi, të hetohet e plotë ngjarja

Mos i humb

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, tha sot se zjarri që ra dje në pallatin “Arlis”, në Tiranë, “nuk është një rastësi tragjike”.

Sipas tij “është pasojë direkte e një modeli të dështuar zhvillimi urban, ku për vite me radhë janë dhënë leje ndërtimi pa standarde, pa kontroll dhe pa respektuar sigurinë minimale të qytetarëve”.

“Kjo ngjarje konfirmon një problem të njohur, ku në vend të standardeve reale të sigurisë, është ndërtuar një kulturë fasadash. Pallate që duken bukur nga jashtë, por që në thelb nuk garantojnë as minimumin e sigurisë për banorët. Fasada që zbukurojnë qytetin sa për sy e faqe, por që në raste emergjencash kthehen në rrezik real për jetën”, tha Muçollari.

Muçollari theksoi se ngjarja e djeshme dhe rastet e përsëritura tregojnë se paralajmërimet kanë ekzistuar, por nuk janë marrë masa.

“Nuk janë ndaluar materialet e rrezikshme, nuk janë kontrolluar standardet dhe nuk është mbajtur përgjegjësi”, tha ai.

Sipas tij përgjegjësia nuk është vetëm teknike, por është politike dhe institucionale.

“Lejet e ndërtimit, kontrolli i zbatimit dhe garantimi i standardeve janë detyrë e institucioneve publike. Kur këto dështojnë, përgjegjësia shkon në nivelet më të larta të vendimmarrjes”, tha ai.

Në përfundim të deklaratës për mediet, Muçollari theksoi se Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe të pavarur për këtë ngjarje dhe rastet e mëparshme të ngjashme.

“Verifikim të menjëhershëm të materialeve të përdorura në fasadat e pallateve ekzistuese; Ndërhyrje urgjente për zëvendësimin e fasadave të rrezikshme; Auditim të lejeve të ndërtimit dhe të respektimit të kushteve teknike; Rritje të kapaciteteve të shërbimeve zjarrfikëse dhe emergjencave civile; Ndryshim rrënjësor të modelit të zhvillimit urban”, tha ai.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit