Ambientet e reja të GJKKO-së, Gogu: Sfidë, efikasiteti dhe besimi i qytetarëve te drejtësia

Mos i humb

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu mori pjesë sot në përurimin e ambienteve të rikonstruktuara në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u investua në 4 salla gjykimi, 2 holle të gjykatës dhe 16 zyra gjyqtarësh.

Në fjalën e tij, Gogu e vendosi investimin në kontekstin e reformës në drejtësi dhe të fazës përmbyllëse të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian për Kapitullin 23.

“Europa nuk mat vetëm ekzistencën formale të institucioneve. Mat mënyrën si funksionojnë çdo ditë: efikasitetin e proceseve, standardin e administrimit gjyqësor, sigurinë juridike dhe besimin që qytetarët kanë tek drejtësia”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Duke folur edhe si ish-kancelar i Gjykatës së Tiranës dhe ish-lektor i Administrimit të Gjykatave, Gogu theksoi se infrastruktura gjyqësore nuk është çështje periferike, por pjesë e vetë cilësisë së drejtësisë.

“Salla e gjyqit nuk është vetëm vendi ku lexohet një vendim. Është ambienti ku shteti duhet të garantojë paanshmëri, siguri, dinjitet procedural dhe autoritetin e ligjit”, deklaroi ai.

Ministri kujtoi se në vitin 2003, në Gjykatën e Tiranës, u ndërtuan 4 sallat e para moderne të gjykimit dhe nisi automatizimi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në modernizimin e administrimit gjyqësor në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Gogu u ndal edhe te debati publik mbi masat e sigurisë në sallat e gjykimit, duke theksuar nevojën për balancë midis sigurisë dhe respektimit të standardeve europiane të të drejtave të njeriut.

“Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar kanë nevoja reale sigurie. Por çdo masë sigurie duhet të jetë proporcionale, funksionale dhe në përputhje me standardet europiane”, u shpreh ai.

Ministri i Drejtësisë theksoi se reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e konsolidimit të institucioneve dhe standardeve, ndërsa sfida kryesore mbetet rritja e efikasitetit, profesionalizmit dhe besueshmërisë publike të sistemit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit