Dhuka: Po diskutojmë kushtet për mbylljen e negociatave me BE në drejtësi e siguri

Mos i humb

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren, Majlinda Dhuka mbi Raportin e Këshillit të Ministrave për procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Dhuka bëri një analizë të progresit të Shqipërisë gjatë vitit 2025, ku sipas saj Shqipëria ia doli të çelë negociatat për të gjithë kapitujt duke marrë kështu edhe kushtet që duhen plotësuar për mbylljen e 31 kapitujve.
“Viti 2025 që ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë për sa i përket progresit dhe ky është produkt së pari i vullnetit politik të të gjithë faktorëve dhe forcave politike dhe i disiplinës institucionale. Rreth 157 institucione janë përfshirë në këtë proces”, bëri të ditur Dhuka.

Sipas saj, viti 2025 shënoi kapërcimin më të madh historik në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Negociatat u çelën në 14 prill 2025. Kjo është një etapë strategjike në progresin e integrimit të tregut shqiptar në tregun e përbashkët europian. Në këtë grupkapitull Shqipëria ka marrë 26 kushte për mbylljen e negociatave që janë të lidhura me tregun e brendshëm, standardizimin e tregut, politikat e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorit”, u shpreh Dhuka.

Dhuka theksoi po ashtu se të gjitha projektligjet kanë kaluar në procesin e gjerë të konsultimit publik.

“Gjatë vitit 2025 janë publikuar 96 projektligje për konsultim nga të cilat 38 janë të lidhura me integrimin. Në total 96 782 vizitorë e kanë vizituar regjistrin e konsultimit publik gjatë vitit 2025”, u shpreh ajo.

Sipas Kryenegociatores, Shqipëria punoi për të plotësuar 24 kushte të ndërmjetme në lidhje me fushën e drejtësisë dhe sigurisë që kishin të bënin me 92 drejtime prioritare.

Dhuka informoi se aktualisht vazhdon diskutimi mes 27 vendeve anëtare në Këshill.

“Së pari është shqyrtuar raporti i progresit të Shqipërisë dhe së dyti po diskutohen kushtet për mbylljen e negociatave për dy fusha, kapitujt 23 dhe 24, drejtësia dhe siguria”, shtoi Dhuka, ndërsa theksoi se Shqipëria pret me interes të lartë fazën e mbylljes së negociatave të të gjithë kapitujve.

Lidhur me punën për forcimin e shtetit të së drejtës, Dhuka nënvizoi se ka pasur një numër masash me rëndësi të veçantë në lidhje me konsolidimin e zbatimit të reformës në drejtësi.

“Institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë miratuar rreth 14 akte me rëndësi të veçantë, sidomos sa i përket standardeve të integritetit për gjyqtarët dhe prokurorët. Shqipëria ka kryer vetingun për 805 gjyqtarë dhe prokurorë, tani fjala është që standardet e integritetit të figurës dhe standardet profesionale të jenë të qëndrueshme, të përhershme dhe të mos jetë një proces që fillon dhe mbaron”, shtoi Dhuka.

Lidhur me uljen e stokut të çështjeve gjyqësore, Dhuka theksoi se gjatë vitit 2025 ka një reduktim me 24% të stokut në krahasim me një vit më parë.

“Është ulur numri i çështjeve gjyqësore në pritje. Në krahasim me vitin 2020 ka një reduktim me 60% të numrit të çështjeve në pritje”, tha Dhuka, ndërsa solli në vëmendje edhe punën që është bërë në lidhje me digjitalizimin e sistemit të drejtësisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit