Ish-deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Kreshnik Çollaku, i është kthyer politikës, por këtë herë në Kosovë. Ditën e sotme ai është prezantuar nga Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku si pjesë e listave të LDK. Në profilin e saj në Facebook, ish-presidentja ka shkruar për angazhimet e Çollakut.
Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Ëashington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.
Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik.
Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.
Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj. Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA”, shkroi Osmani.


