Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot në Kuvend se debati parlamentar mbi raportet ndërkombëtare duhet të shërbejë për sqarimin e të vërtetës dhe jo për përdorim politik të fragmentuar të tyre.
Në seancën plenare, ku prej rreth tre orësh po zhvillohet mocioni me debat mbi problematikat e konstatuara në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për klimën e investimeve në Shqipëri, si dhe gjetjet e progresraportit të Komisionit Evropian për vendin, Koçiu theksoi se procesi i integrimit evropian nuk lidhet me interesat e një partie apo qeverie, por me të ardhmen strategjike të Shqipërisë.
Sipas saj, integrimi evropian përfaqëson drejtimin historik të vendit dhe standardin që shqiptarët kanë zgjedhur prej kohësh, ndërsa politika duhet të ruajë përgjegjësinë për të mos deformuar raportet ndërkombëtare për qëllime të brendshme.
“Ka debate që prodhohen për konsum politik dhe ka debate që duhet të shërbejnë për të sqaruar një të vërtetë kombëtare. Ky i sotmi është i dyti, sepse flasim për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk flasim për fatin e një partie politike, nuk flasim as për interesin e një qeverie, por flasim për drejtimin historik të Shqipërisë, për vendin ku duam të jetojnë fëmijët tanë, për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti ynë, për standardin europian që shqiptarët e kanë zgjedhur prej kohësh me zemër, shumë përpara se politika shqiptare të arrinte ta kthente në një proces konkret. Dhe pikërisht sepse bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme, më vjen keq kur shoh se edhe raportet më serioze ndërkombëtare tentohen të përdoren si materiale propagandistike, të cilësohen me fragmente, interpretohen sipas interesit, nxirren nga konteksti dhe në fund krijohet ideja sikur Shqipëria është një vend pa arritje, pa progres dhe pa të ardhme”, u shpreh Koçiu.
Ajo shtoi se raportet ndërkombëtare shpesh keqinterpretohen duke u nxjerrë nga konteksti, ndërsa realiteti i vendit, sipas saj, tregon progres të qëndrueshëm institucional dhe ekonomik.
“Sot Shqipëria është në një moment që deri pak vite më parë dukej thuajse i pamundur. Kapitujt janë hapur, grupkapitujt po ecin me ritëm. Institucionet europiane flasin për mundësinë reale të mbylljes së negociatave brenda vitit 2027. Kjo nuk është një arritje e zakonshme. Ky është një ndryshim shumë i madh gjeopolitik dhe institucional. Është një nga ndryshimet më të mëdha që Shqipëria ka njohur në dekada, sepse vetëm disa vite më parë Shqipëria përmendej si vendi që nuk arrinte të dilte nga tranzicioni. Sot flitet për një Shqipëri që ka bërë histori suksesi në rajon dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Kjo ka ndodhur sepse vendi ka bërë reforma të vështira, sepse janë marrë vendime që shpesh janë shoqëruar edhe me kosto politike, sepse është investuar tek ndërtimi i institucioneve dhe jo te propaganda boshe”, tha Koçiu.
Sipas saj, raportet përmendin edhe çështje që kërkojnë vëmendje.
“Po, raportet kërkojnë më shumë rezultate dhe është normale ta themi këtu, sepse Bashkimi Evropian nuk është një klub ku mjafton dëshira për t’u bërë pjesë, është një familje shtetesh ku hyn vetëm nëse provon se je i aftë të ndërtosh institucione serioze, drejtësi funksionale dhe standarde demokratike. Por ajo që opozita duhet të pranojë sot është edhe pjesa tjetër e raportit, që Shqipëria ka bërë progres real, që reforma në drejtësi ka sjellë rezultate konkrete, që partnerët ndërkombëtarë e konsiderojnë sot Shqipërinë një aleat të besueshëm, që vendi po shihet ndryshe në Europë dhe në botë”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.
Ky, nënvizoi Koçiu, është thelbi i debatit që duhet bërë sot, sepse, vuri në dukje ajo, është shumë e lehtë të marrësh një fjali, ta shkëputësh nga konteksti i qindra faqeve të raporteve dhe ta përdorësh si armë politike.
“Por përgjegjësia jonë nuk është të manipulojmë perceptimin. Përgjegjësia jonë është të themi të vërtetën. E vërteta është që Shqipëria sot është më e fortë se dje, më e respektuar se dje, më afër Europës se kurrë më pare”, vijoi më tej Koçiu.
Zv.kryeministrja vuri në dukje se ka një pjesë të raportit të Parlamentit Europian që duhet dëgjuar nga të gjithë me shumë vëmendje, kur thuhet se progresi i mëtejshëm i Shqipërisë do të varet edhe nga aftësia për të kapërcyer polarizimin politik dhe për ta ngritur kulturën demokratike të debatit publik.
“Dhe kjo është shumë domethënëse, sepse Europa nuk na kërkon të biem dakord për gjithçka. Demokracia nuk funksionon kështu. Por Europa pret që ne të dimë të sillemi si shtet serioz, që konfliktin politik të mos e kthejmë në dëm për Shqipërinë, që garën politike të mos e ndërtojmë mbi idenë se sa më keq për vendin, aq më mirë për opozitën”, shtoi Koçiu.
Vetëm një vend europian, tha ajo, nuk mund të ecë me politikën e djegies së urave të komunikimit.
“Nuk ecën me gjuhën e urrejtjes. Nuk ecën duke e nxjerrë Shqipërinë në çdo tryezë ndërkombëtare vetëm për një përfitim të vogël politik të përkohshëm, sepse në fund dëmi nuk i bëhet qeverisë, dëmi i bëhet Shqipërisë”, tha Koçiu.
Zv.kryeministrja theksoi më tej se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve është po aq domethënës.
“Që në faqen e parë ai nënvizon hapjen e të gjashtë grupkapitujve me 33 kapituj të integrimit europian. Thekson rritjen e qëndrueshme ekonomike prej 4%, që më parë ishte thuajse zero në kohën kur raportet vërtet e nxinin vendin tonë. Flet për inflacion të ulët nga 6,73% në vitin 2022 në vetëm 2,2% në vitin 2024, si dhe për reduktimin e borxhit kombëtar nga 75% e prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2021 në vetëm 55% në vitin 2024. Sot që flasim është edhe më i ulët, një arritje e bërë e mundur, siç thotë përsëri Departamenti Amerikan i Shtetit, falë konsolidimit fiskal të qëndrueshëm dhe një politike monetare të kujdesshme”, deklaroi Koçiu.
Sipas saj, raporti flet për një ekonomi që po rritet, për një stabilitet më të madh financiar, për rritjen e investimeve të huaja.
“Jo rastësisht Shqipëria shënoi rekordin historik të investimeve të huaja direkte, 1,71 miliardë euro në vitin 2024, me rritje prej mbi 27% të stokut të investimeve amerikane në vetëm një vit”, tha zv.kryeministrja.
Po ashtu, nënvizoi Koçiu, i njëjti raport nënvizon potencialin e jashtëzakonshëm për investime në fusha si energjia, shëndetësia, bujqësia, sektori mineral dhe ai i naftës, si dhe në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
“Dhe le ta themi troç, investitorët seriozë nuk investojnë në vende ku nuk shohin stabilitet dhe perspektivë. Ata investojnë aty ku shohin të ardhmen. Prandaj sot Shqipëria shihet si një vend që ka ende sfida, pa diskutim, por edhe si një vend që ka hyrë në një fazë tjetër shteti, në një fazë ku progresi nuk matet më me mbijetesën e shtetit, por me shpejtësinë e modernizimit të tij”, deklaroi zv.kryeministrja.
Sipas saj, kjo është një arritje e të gjithë shqiptarëve, e njerëzve të zakonshëm që kanë punuar, kanë besuar dhe nuk janë dorëzuar kurrë ndaj pesimizmit, sepse Shqipëria jonë ka shumë për të arritur dhe ka bërë shumë për të arritur deri këtu.
“Kemi kaluar izolim, tranzicion të gjatë, mosbesim dhe skepticizëm. Por sot, për herë të parë pas shumë dekadash, Shqipëria nuk po troket më në derën e Bashkimit Europian si një vend që kërkon të dëgjohet”, u shpreh ajo.
Sot, vijoi Koçiu, Shqipëria po negocion si një vend që e di ku dëshiron të shkojë, dhe kjo është një diferencë e madhe.
“Prandaj po, kemi ende shumë punë për të bërë. Duhet të forcojmë më tej institucionet, duhet të rrisim standardet demokratike dhe ekonomike, por rruga është e qartë, destinacioni është i qartë dhe Shqipëria nuk do të kthehet më pas, sepse rruga europiane nuk është thjesht objektiv politik, është zgjedhje historike e shqiptarëve”, deklaroi ajo.


