PS dhe PD dakordësohen për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit; Balla: Fitoi parlamentarizmi

Mos i humb

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë finalizuar marrëveshjen për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa drafti i përbashkët pritet të miratohet zyrtarisht në seancën plenare të kësaj të mërkure.

Relatorët e të dyja palëve kanë përmbyllur negociatat për paketën e ndryshimeve, e cila përmban reflektime dhe dakordësi të arritura mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas marrëveshjes së bërë të ditur nga mediet, mazhoranca ka tërhequr disa propozime që lidhen me kufizimin e kohës së debateve dhe mënyrën e raportimit të institucioneve në Kuvend, ndërsa opozita ka arritur të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar.

Në një prononcim për mediet nga ambientet e jashtme të Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se ndryshimet në rregullore i shërbejnë forcimit të parlamentarizmit dhe funksionimit më të mirë të jetës parlamentare në vend.

Balla u shpreh i kënaqur për dakordësinë e arritur mes palëve lidhur me ndryshimet në rregullore.

“Ndryshimet në rregullore i bëjnë mirë parlamentarizmit. Jam i kënaqur që dy negociatorët, relatorët e të dyja palëve, duhet ta shikojnë me pozitivitet këtë proces. Nuk ka palë që lëshoi apo palë që fitoi. Mendoj se këtu fitoi parlamentarizmi dhe Kuvendi i Shqipërisë”, tha Balla.

Ai shtoi se kishte propozuar që koha e diskutimeve të ishte 5 minuta, por vendosi të tërhiqej nga ky propozim, duke vlerësuar se ndryshimet në rregullore duhet të miratohen me konsensus të plotë.

“E besoj ende atë që propozova për kohën 5 minuta, por mendova se ajo mund të ishte një çështje për të cilën duhej reflektuar. U tërhoqa nga propozimi sepse mendoj se rregullorja duhet të miratohet me konsensus. Kur miratohet me konsensus, nuk ka gjë më të mirë”, u shpreh ai.

I pyetur edhe për propozimin e tij lidhur me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Balla theksoi se çdo ndërhyrje ligjore konsultohet me Komisionin Europian dhe duhet të jetë në përputhje me standardet europiane.

“Ne i kemi sytë nga Europa dhe duhet t’i mbajmë sytë nga Europa. Çdo ndryshim ligjor duhet të marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Europian. Jemi në një fazë kur konsultohemi për gjithçka me Komisionin Europian”, deklaroi Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit