Braçe: Të zbatohen standardet e ndërtimit në fasadat e pallateve

Mos i humb

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit gjatë interpelancës me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, se zjarri i përsëritur në një kompleks të madh banimi dhe shërbimesh, për fat pa humbje jetësh njerëzore ka rikthyer në vëmendje mënyrën e ndërtimit dhe materialet që përdoren gjatë ndërtimit.

Braçe shtoi se rasti i djegies së pallatit në kompleksin “Arlis” në Tiranë risjell shqetësimin lidhur me cilësinë e ndërtimit të godinave të banimit.

“Ngjarjet e rënda po na ndodhin në ndërtime të reja dhe shumë masive, mbi të gjitha të kushtueshme për blerësit e tyre dhe po kthehen në një shqetësim serioz”, tha Braçe.

Deputeti Braçe theksoi se pamjet e flakëve në këto godina tërheqin kureshtarë plot, por specialistët janë ata që kanë parë më mirë, kanë analizuar më qartë, më kthjellët.

“Prej tyre buron alarmi për materialet e ndërtimit dhe mënyrën e ndërtimit. Ndërkohë që nga institucionet ka veç një që ka bërë ekspertizën, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial dhe ai është marrë me shkaqet e rënies së zjarrit, ka gjetur fëmijët përgjegjës”, shtoi deputeti.

Braçe vuri në dukje se përhapja e shpejtë e flakëve uli mundësinë për një ndërhyrje efektive të zjarrfikësve.

“Përhapja e shpejtë e tij uli mundësinë e një ndërhyrje efektive të zjarrfikësve, rrezikoi në maksimum mjetet e banorëve që gjendeshin në banesat e tyre, të tjerë njerëzve që merrnin shërbime aty dhe zjarrfikësve vetë ndërkohë që prona po digjej dhe u dogj duke shkaktuar dëme të mëdha. Një ditë më pas zjarrfikësit, njerëzit më të familjarizuar me zjarret, me çdo zjarr urban posaçërisht, me të tilla godina veçanërisht, pra me fasadë të ventiluar, më shpjeguan në vend për materialet, montimin e tyre në fasadë, djegien dhe arsyet e përhapjes së zjarrit”, nënvizoi Braçe duke shtuar se ata sqaruan mbi të gjitha rrezikun që vijon të jetë aty në fasadën e njëjtë, të padjegur të pjesës tjetër të kompleksit të banimit.

Deputeti socialist renditi disa shqetësime që, sipas tij, kërkojnë përgjigje institucionale, duke nisur nga situata e banorëve të dëmtuar dhe rreziku që mbetet për pjesën tjetër të kompleksit me të njëjtën fasadë.

“Arsyet pse ju thirra këtu janë disa, kanë të bëjnë me banorët, prona të cilëve është djegur tashmë plotësisht, me banorët e të njëjtit kompleks, prona e të cilëve nuk është cenuar, por është nën të njëjtën fasadë, në të njëjtin kërcënim dhe rrezik. Gjithashtu ka të bëjë me përhapjen e këtij sistemi ndërtimi së pari në këtë qytet, që po bëhet Shqipëria në fakt banesa dhe njësi shërbimi, institucionet publike të ndërtuar me të tilla fasada, materiale dhe të njëjtën mënyrë”, tha Braçe.

Deputeti Braçe kërkoi gjithashtu më shumë transparencë lidhur me certifikatat e shfrytëzimit, kontrollet periodike të sistemeve të sigurisë në ndërtesa, respektimin e lejeve të ndërtimit dhe sigurimin e detyrueshëm të njësive nga defektet në ndërtim.

“Përtej këtij rasti duhet të ndryshojmë mënyrën e ndërtimit, mbase edhe tregun e pasurive të paluajtshme në këtë vend”, u shpreh Braçe.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit