Qeveria e Ruandës ka ndaluar thirrjen e ezanit me altoparlantë në kryeqytetin Kigali me arsyetimin se “shkakton ndotje akustike”.
Sipas një lajmi në organin mediatik kombëtar KT Press, ndalimi i thirrjes së ezanit me altoparlantë nëpër xhami është kërkuar në rajonin Nyarugenge, ku gjenden xhamitë më të mëdha në Kigali.
“Kërkojmë nga ju t’i shmangeni përdorimit të altoparlantëve dhe të gjeni një metodë alternative që nuk shkakton ndotje akustike për t’i thirrur ndjekësit tuaj”, thuhet në udhëzimin dërguar xhamive nga ana e zyrtarit rajonal Charles Havuguziga.
Myftiu i Ruandës, Shejh Salim Hitimana, i cili theksoi se e kanë pritur me habi vendimin, u shpreh se do të takohen me zyrtarët për të debatuar lidhur me këtë çështje.
Nga ana tjetër, në udhëzim nuk është specifikuar se me çfarë sanksionesh do të ballafaqohen xhamitë nëse nuk e respektojnë ndalesën.
Kujtojmë se muajin e kaluar Ruanda kishte marrë vendim për mbylljen e një numri të madh objektesh fetare me arsyetimin se nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore higjienike dhe infrastrukturore dhe kanë shkaktuar ndotje akustike.
Afër 800 kisha janë mbyllur brenda një muaji të kaluar në Ruandë, ku 90 për qind e popullsisë përbëhet nga të krishterët, për shkak të, siç thuhet, mospërmbushjes së standardeve ligjore dhe shkaktimit të ndotjes akustike./Rtv Islam/


