Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalya Apostolova lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës deklaroi se veprimet e tilla janë kundër parimeve të BE-së dhe e lë Kosovën prapa në rrugëtimin e saj të zhvillimit demokratik.
Apostolova në një deklaratë për media në hollin e Kuvendit tha se ka takuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin të cilit ia ka shprehur pakënaqësinë për veprimet që po ndodhin në Kuvend.
“Unë jam e tronditur dhe e shokuar me këtë çfarë ndodhi tani për veprimet të cilat kanë të bëjnë me hedhjen e gazit lotsjellës në institucionin më demokratik të një shteti. Kjo është kundër parimeve të BE-së, lë Kosovën prapa në rrugëtimin e saj për zhvillimin demokratik dhe është më të vërtetë e rrezikshme. Unë dua t’i përgëzoj të gjithë anëtarët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e morën guximin dhe erdhën për të votuar ligjin. Shpresoj që sot të kemi një vendim përfundimtar”, ka thënë Apostolova.
Ndërsa, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka reaguar për veprimet e sotme në Kuvend ku ka thënë se gazi lotsjellës nuk është një instrument i diskutimit politik.
Kujtojmë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku pritej të votohet Projekt-ligji për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është ndërprerë për të dytën herë nga gazi lotsjellës që u hodh nga deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje./Rtv Islam/


