Mjekët e dërguar nga ushtarët turq në rajonin Afrin të Sirisë i kanë ardhur në ndihmë sirianit të vogël Ali Ahmed i cili për rreth 2,5 vite nuk kishte mundësinë të merrte trajtimin e nevojshëm shëndetësor, ku mushkëritë e tij janë dëmtuar për shkak se organizata terroriste YPG/PKK nuk lejoi civilët të largoheshin nga Afrini.
Jeta po kthehet dalëngadalë në normalitet në Afrin, të cilin Forcat e Armatosura Turke (TSK) të mbështetur nga Ushtria e Lirë Siriane (ULS) e shpëtuan nga okupimi i organizatës terroriste YPG/PKK në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”.
Teksa ekipet e shëndetësisë vazhdojnë trajtimet, mjekimet e civilëve të plagosur, po ashtu në rajon vazhdojnë mobilizimin me ndihma humanitare edhe institucionet e tjera të shoqërisë civile kryesisht, Kryesia e Menaxhimit të Fatkeqësive të Situatave Emergjente e Turqisë (AFAD), Fondacioni Turk i Çështjeve Fetare (TDV) dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke.
Mjekët turq i kanë ardhur në ndihmë sirianit 4,5 vjeçar Ali Ahmed i cili që prej rreth 2.5 vitesh nuk mund të merrte trajtimin e nevojshëm mjekësor për shkak të presioneve dhe kufizimeve të zbatuara nga organizatat terroriste. Siriani i vogël i cili ndodhej në fazat e fundit të sëmundjes së tij është dërguar në spitalin shtetëror në qytetin Kilis të Turqisë ku dhe i është nënshtruar trajtimit.
– “Jemi lutur gjithmonë për ushtarët turq”
Nëna Ajshe Muhammed, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) ka theksuar se nuk kanë marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor që prej një kohe të gjatë për shkak se organizata terroriste YPG/PKK nuk lejonte daljen nga rajoni.
Pasi ka vënë në dukje se fëmija i saj është sëmurë rreth 2.5 vite më parë dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve nuk janë lejuar që të shkonin në Halep apo Azez për të marrë mjekimin shëndetësor, nëna Muhammed është shprehur: “I kisha hequr të gjitha shpresat, deri kur në Afrin hynë ushtarët turq. Na sollën mjekë, të cilët pasi e mësuan situatën e fëmijës tim e dërguan direkt në spital”.
“Të gjithë u mobilizuan për mjekimin e fëmijës tim. Në Turqi na trajtojnë dhe kujdesen shumë mirë për ne. U lumturuam shumë kur dëgjuam se ushtarët turq do të hynin në Afrin, dhe gjithashtu ne jemi lutur gjithmonë për ata sepse do të na shpëtonin ne nga presionet që kemi përjetuar”.
Ndërkohë që mjeku i specializuar për sëmundjet dhe shëndetin e fëmijëve në spitalin shtetëror të Kilisit, Dr. Saltuk Buğra Böke, është shprehur se ishte serioze situata shëndetësore e fëmijës kur e sollën fillimisht në spital, por pas trajtimit mjekësor gjendja e tij po përmirësohet.
Duke bërë të ditur se ka pësuar dëmtime serioze në funksionet e mushkërisë për arsyen se nuk është trajtuar për një kohë të gjatë, mjeku Böke ka shtuar se në krahasim me ditën kur ka ardhur është qetësuar shumë, por se ky trajtim i tij do të zgjasë edhe për pak kohë./Rtv Islam/


