Presidenti amerikan, Donald Trump, do të anulojë pjesëmarrjen në samitin në Amerikën Latine që do të mbahet këtë javë, në mënyrë që të mbikëqyrë reagimin e SHBA-ve ndaj sulmit të dyshuar kimik në Siri, pasi paraprakisht kërcënoi me një aksion ushtarak.
Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila bën të ditur se Trump ishte planifikuar të marrë pjesë në Samitin e Amerikës Latine që do të mbahet në datat 13 dhe 14 prill në Lima të Perusë, pas çka duhej të udhëtoj në Bogota të Kolumbisë, por në vend të kësaj i ka kërkuar zëvendëspresidenti Mike Pence të marrë pjesë në vend të tij.
“Presidenti do të mbetet në SHBA për të mbikëqyrur përgjigjen amerikane ndaj Sirisë, si dhe të monitorojë zhvillimet në pjesët tjera të botës”, deklaroi zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders.
Presidenti amerikan takoi të hënën në mbrëmje lidershipin ushtarak të vendit për të diskutuar përgjigjen amerikane ndaj sulmit kimik në Siri, për të cilin akuzoi regjimin e Asadit.
Sipas Mbrojtjes Civile të Sirisë, e njohur poashtu si “Helmetat e Bardha”, forcat e regjimit sirian goditën objektivat në qarkun Duma të Gutës Lindore mesnatën e të shtunës, duke përdorur një gaz toksik i cili la të vdekur të paktën 78 civilë.
Para nisjes së takimit të mbrëmshëm, Trump u tha gazetarëve se SHBA-të tashmë po qartësojnë imazhin mbi atë se kush e ka kryer sulmin, për të shtuar se shumë shpejtë opinioni do të kuptojë për hakmarrjen ushtarake amerikane, por pasi të konfirmohen faktet.
Ai u zotua se secili përgjegjës, përfshirë Rusinë do të paguajë çmimin./Rtv Islam/


