MASH prezanton ndryshimet në ligj, më pak orë mësimore për filloristët

Mos i humb

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë publikoi sot propozimin për debatin publik të ndryshimeve të planifikuara të Ligjit për arsim fillor, me të cilin mes tjerash parashihet ulja e fondit javor të orëve mësimore dhe të numrit të nxënësve në një klasë.

Ndërkohë ligji parasheh edhe vlerësim të jashtëm për renditjen e shkollave fillore, kufizimin e kompetencave të drejtorëve të shkollave dhe një sërë masash tjerash të cilat janë pjesë e ligjit të ri i cili pritet të miratohet para fillimit të vitit të ri shkollor.

Siç tha në një konferencë për media ministrja e Arsimit dhe Shkencë, Renata Deskoska, ligji parasheh që për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën numri maksimal i orëve mësimore të mos tejkalojë 20, për nxënësit nga klasa e katërt deri në të gjashtën 25 dhe maksimalisht 30 orë mësimore në javë për nxënësit nga klasa e shtatë deri në të nëntën.

Ligji parasheh që arsimtarët e lëndëve për të cilat nuk ka mjaft orë mësimore, për të përmbushur kushtin e fondit të plotë, të mund të angazhohen në mirëmbajtje të bazës së integruar të të dhënave, ueb-faqen, e-ditarin e shkollës dhe obligime tjera që lidhen me punën kompjuterike në shkollë, për të cilat do të marrin tre, gjashtë ose tetë orë nga fondi i orëve.

Deskoska tha se shfuqizohet mundësia për mësime të shtunave, sepse numri i ditëve mësimore nuk do të jetë i caktuar fiks, pasi siç tha, përvoja e mësimit gjatë të shtunave është dëshmuar e joefektive.

“Me ligjin e ri propozohet që mësimi në vitin shkollor të realizohet nga 175 deri 180 ditë mësimore, që do të konfirmohet përmes Kalendarit të mësimit të cilin do ta aprovojë MASH-i”, tha ajo.

Ministrja Deskoska tha më tej se numri i nxënësve në një klasë mësimore do të variojë mes 20 dhe 30 nxënës, me tendencë që kjo të rrubullakohet në 24 maksimum, që për disa shkolla të stërngarkuara në Shkup do të jetë rëndë e realizueshme sepse nuk kanë mundësi për hapësirë për klasa më të vogla se 30 nxënës.

Ajo tha se ligji parasheh edhe masa për parandalimin e dhunës dhe sjelljeve tjera devijante, ndërkohë që nxënësit e talentuar do të kenë mundësi për mësim sipas planit avancues arsimor. Në vazhdim rrjedhë afati 30 ditor për dorëzimin e propozimeve në MASH./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit