Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Fieri se Qeveria nuk mund të garantojë suksesin e ARMO-s.
Megjithatë, Kryeministri shprehet optimist me marrjen e rafinerisë nga kompania e re.
“Shpresoj që procesi të finalizohet dhe puna të rifillojë dhe të mos kemi probleme. Është një vatër vulnerabël dhe gjithmonë shkakton probleme për shkak të qëndrueshmërisë së furnizimit. Por, së fundmi është inkurajuese dhe shpresojmë që të përfundojë me sukses. Ajo që kemi parë me vëmendje është që punonjësit që janë përfshirë në një sindikatë në atë kompani të trajtohen ashtu siç e meritojnë dhe të ketë një kontratë ashtu siç duhet për t’i garantuar ata. Kemi ecur edhe me pagesën e papunësië dhe statusin e naftëtarit”, deklaroi kreu i Qeverisë.
Rama u pyet nga gazetarët edhe për dëmshpërblimet e banorëve në Zharrëz, ku janë rreth 70 banesa të dëmtuara. Banorët nuk kanë marrë ende të plota dëmshpërblimet për shkatërrimin e shtëpive të tyre.
“Është bërë gjysma e pagesës dhe sipas marrëveshjes Bankers duhet të financojë gjysmën tjetër. Bankers ka ndërruar pronar në një periudhë pas kontratës dhe Ministria ka kontaktuar pronarët e rinj dhe ka marrë dakortësinë dhe fjalën që kompania do t’i qëndrojë marrëveshjes”, u përgjigj Rama.
Lidhur me inceneratorin, Rama tha se bëhet fjalë për një projekt të Bashkisë që Qeveria e mbështet. Ai garantoi kundërshtarët e projektit se investimi nuk ka asnjë rrezik dhe ndikim negativ në mjedis.
Top Channel