Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka dërguar mesazh me rastin e një ceremonie fetare në Patriarkanën Armene të Stambollit, në të cilën ka thënë se është përgjegjësi morale i popullit turk të ndajë me qyetetarët armenë të Turqisë dhimbjet e kaluara.
“Është përgjegjësi e ndërgjegjshme dhe morale e popullit të Turqisë të ndajë dhimbjet që shtetasit tanë armenë përjetuan në të kaluarën”, ka thënë Erdoğan në mesazhin e tij dërguar patriarkanës, thuhet në një njoftim nga qendra e shtypit e presidencës turke.
Në Patriarkanën Armene të Stambollit sot po mbahet ceremoni për të kujtuar armenët osmanë që humbën jetën në kushte të vështirë gjatë Luftës së Parë Botërore, ka thënë presidenti turk.
Ai shprehu nderimet e tij për armenët të cilët humbën jetën gjatë kësaj periudhe, duke u lutur po ashtu për mëshirë për miliona qytetarë osmanë të cilët në po atë periudhë humbën jetën nga sëmundjet, migrimet, luftrat dhe konfliktet.
“Gjatë historisë, ne kemi qenë popull që gjithnjë kemi ndarë dhimbjen”, tha presidenti Erdoğan.
“Ne kemi nxituar për ta ndihmuar secilin që ka qenë në gjendje të vështirë jo vetëm në territorin tonë, por edhe në Andaluzi, Afrikë, Azinë Jugore e deri në Evropë. Teksa e kemi bërë këtë, nuk kemi shikuar fenë, gjuhëm dhe përkatësinë etnike dhe kulturore të askujt. Edhe sot, ne si shtet përpiqemi ta ruajmë këtë trashëgimi dhe ta forcojmë vëllazërinë, empatinë, paqen dhe qetësinë”, ka shtuar Erdoğan.
Erdoğan tha se nuk do të lejojnë që asnjë shtetas i Turqisë të margjinalizohet dhe të trajtohet ndryshe për shkak të besimit apo fesë së tij.
“Besoj që edhe shtetasit tanë armenë do t’i rrisin tutje kontributet që i japin për kulturën tonë dhe jetën tonë humane, politike dhe tregtare”, ka theksuar presidenti turk.


