Erdogan: Obama bëri një hap drejt paqes me Iranin, Trump po gabon

Mos i humb

 

 

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit paraqet një kërcënim për paqen në rajon.

I ftuar në emisionin e BBC-së, “Hard Talk“, Erdoğan komentoi zhvillimet aktuale të cilat kanë të bëjnë me situatën rajonale dhe globale.

Erdoğan e vlerësoi të gabuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja ndërkombëtare me Iranin, pasi siç tha, marrëveshja është dakorduar dhe nënshkruar, dhe si e tillë duhet të ruhet në frymën e standardeve ndërkombëtare mbi respektimin e saj.

I pyetur për një garë të mundshme për armatosje në rajon, presidenti turk tha se SHBA-të tashmë po bëjnë këtë garë, meqë në Siri kanë dërguar 5.000 maunë dhe 2.000 avionë kargo me armatim.

“Mendoj se veprimi i ish-presidentit amerikan, Barack Obama, me Iranin ishte pozitiv. Ishte një hap drejt paqes, por kjo paqe tashmë është vënë në rrezik dhe fillon procesi i problemeve të reja në rajon. Jemi të shqetësuar për një veprim të tillë, të cilin nuk e mbështesim, as që e llogarisim të drejtë”, tha Erdoğan.

Presidenti i Turqisë ka komentuar edhe tensionet e reja mes Iranit dhe Izraelit, për çka tha se nevojitet një proces i ri për paqe, në të kundërtën siç tha, Lindja e Mesme do të mund të kaplohet nga kaosi.

“E llogaris jo të plotë pyetjen nëse jam i shqetësuar se situata mund të dalë jashtë kontrollit. Izraeli tashmë ka shkrepur mbi 50 raketa në Siri. Nuk është gjë tjetër veç një provokim dhe nxitje për luftë. Izraeli kryen terror të vazhdueshëm në rajon”, tha Erdoğan.

Ai shtoi më tej se Izraeli pretendon se cak i sulmeve të tij janë pozitat e forcave iraniane, por ky është një pohim i njëanshëm meqë Irani përgënjeshtron këto pohime.

Erdoğan i bëri thirrje Perëndimit të rishqyrtojë qëndrimet dhe aktivitetet e veta lidhur me krizën siriane, duke shprehur shqetësimin për lindjen e problemeve të reja.

Turqia me Rusinë dhe Iranin udhëheq në Astana të Kazakistanit bisedimet e paqes për Sirinë, ndonëse Moska dhe Teherani janë aleatët më të mëdhenj të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.

“Unë akoma jam një kundërshtar i Bashar al-Asadit, nuk përkrah regjimin e tij, mirëpo me Rusinë dhe Iranin, në themele të trilaterizmit jemi duke ndërmarrë hapa drejt paqes për popullin sirian”, tha Erdoğan, duke shtuar se do të bashkëpunonte edhe me fuqitë perëndimore sikur të kishte një vullnet në anën tjetër.

Presidenti turk në emisionin e BBC-së foli edhe për vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër degës së organizatës terroriste të PKK në Siri, ku tha se Turqia nuk ka problem me kurdët si një komb, por vetëm me terroristët e PYD dhe YPG-së.

“Nuk do të lejojmë që terroristët të krijojnë një korridor në veri të Sirisë. Ne luftuam në Jarabulus, pastaj në Afrin, dhe këtë luftë do ta vazhdojmë”, tha Erdoğan.

Erdoğan është pyetur të komentojë edhe zgjedhjet e parakohshme në Turqi, të cilat janë shpallur për më 24 qershor. Ai tha se Turqia është një shtet i së drejtës, dhe në korniza të kësaj mbahen proceset.

“Zgjedhjet në Turqi janë të lira, dhe do t’i vëzhgojnë një sërë delegacionesh të huaja, përfshirë OBSE. Rezultatet do të tregojnë fituesin, dhe këtë duhet të gjithë ta respektojnë. Nëse ne fitojmë sërish, kjo do të duhet të respektohet nga të tjerët, dhe këtë do ta bëjmë edhe ne, duke respektuar vullnetin e popullit nëse tjetërkush fiton”, përfundoi Erdoğan. /Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit