Liga Arabe ka dënuar veton që SHBA vendosi kundër projektrezolutës së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), e cila kërkonte mbrojtje për popullin e Palestinës.
Në një deklaratë me shkrim nga Liga arabe thuhet se “Vazhdimi i qasjes së SHBA-ve për të penguar të gjitha vendimet për të ndaluar gjakderdhjen e njerëzve të pafajshëm palestinezë i jep Izraelit guximin që të vazhdojë praktikat e tij përtej kornizës së legjitimitetit ndërkombëtar.
Kjo qasje nuk do të sigurojë një mjedis të përshtatshëm që izraelitët dhe palestinezët të kthehen në negociata për një zgjidhje të drejtë, thuhet po ashtu në deklaratën ku shprehet keqardhje që KS-OKB-ja e cila mbart një mision për paqen ndërkombëtare dhe mbrojtjen e sigurisë është e pafuqishme për të marrë masa që të ndalë shkeljet e Izraelit ndaj popullit të Palestinës.
Gjithashtu thuhet se krimet e kryera në kufirin e Gazës nga forcat okupuese janë dënuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar në muajt e fundit. Në deklaratë theksohet se Liga Arabe është e vendosur të mbrojë të drejtat e popullit palestinez dhe të mbështesë kauzën e Palestinës e cila është çështje themelore e popujve.
SHBA vendosi veto ndaj projektrezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e propozuar nga Kuvajti dhe e cila kërkonte mbrojtje për popullin palestinez. Kuvajti, Bolivia, Kina, Bregu i Fildishtë, Guinea Ekuatoriale, Franca, Kazakistani, Peruja, Suedia dhe Rusia e mbështetën projektrezolutën, ndërsa vendi anëtar i përhershme si Britania, dhe vendet anëtare të përkohshme si Polonia, Holanda dhe Etiopia abstenuan.
Nga ana tjetër bëhet e ditur se edhe SHBA-të sollën në Këshill një projektrezolutë tjetër e cila kërkonte dënimin e Hamasit, ndërkaq ajo nuk u pranua për shkak se nuk mori 9 votat e nevojshme. Kjo projektrezolutë u mbështet vetëm nga vetë SHBA-ja, ndërsa është kundërshtuar nga Rusia, Kuvajti dhe Bolivia ku dhe 11 vende kanë abstenuar./Rtv Islam/


