Prokuroria në Francë çeli një hetim ndaj shefit të kabinetit të presidentit Emmanuel Macron, nën akuzën e shkeljes së rregullave të konfliktit të interesit, pasi ka punuar njëkohësisht për shtetin dhe një kompani zvicerano-italiane transporti.
Hetimi do të përpiqet të verifikojë nëse pretendimet e ngritura janë të vërteta. Vet Kohler nuk ka bërë asnjë koment, por pallati “Elize” i doli në mbrojtje, duke sqaruar se nuk ka pasur shkelje dhe se këshilltari i presidentit do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë.
Kohler mbante një post të lartë drejtues në Ministrinë e Financave, nga e cila u largua në vitin 2016, kur Macron dha dorëheqjen si ministër Ekonomie.
Pas kësaj, ai u zhvendos në Gjenevë për të marrë një pozicion në bordin e “MSC”, me të cilën familja e vet ka lidhje të hershme. Nëntë muaj më vonë, Macron i kërkoi të bëhej pjesë e stafit të tij.
Ligjet franceze diktojnë se, përpara se t’i rikthehen administratës publike, nëpunësit civilë duhet ta ngrijnë karrierën e tyre në këtë sektor për një numër të kufizuar vitesh, nëse duan të punojnë në atë privat.