Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi të hënën se pret nga liderët e shteteve të Aleancës, që në samitin e korrikut të marrin një vendim për fillim zyrtar të negociatave mbi anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO.
“Pres që krerët e shteteve dhe të qeverive, të dakordohen për negociatat për pranim, pastaj do të mund të ftojmë Maqedoninë të bëhet anëtare e plotë, me kusht që Marrëveshja të finalizohet. Finalizimi do të thotë ratifikim i plotë, referendum dhe votim pozitiv”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se dështimi i referendumit, do të thotë që Maqedonia të mos marrë ftesë për anëtarësim në NATO.
“Nëse Marrëveshja nuk merr përkrahjen, nuk shoh një mundësi për vendin. Ky është një rast i veçantë që duhet të përqafohet”, tha Stoltenberg.


