Thirrja e Thaçit për gjithëpërfshirje në dialog me Serbinë, opozita: pse i themi jo presidentit

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Presidenti Hashim Thaçi, gjatë raportimit para kabinetit qeveritar për bisedimet me Serbinë u bëri thirrje sërish opozitarëve të bëhen pjesë e dialogut, për çka tha se gjatë javës së ardhshme pret nga liderët politikë të gjitha partive të ulen për të konkretizuar ekipin negociator.

“Ejani e bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jepni dijen e patriotizmin tuaj në tryezën e bisedimeve. Ky do të ishte veprimi më i guximshëm që e presin qytetarët”, tha Thaçi.

Por kjo thirrje e presidentit aspak nuk po i bën përshtypje opozitarëve të cilët thonë se Kuvendi i Kosovës duhet t’a japë dritën e gjelbër se kush duhet të jetë udhëheqës i bisedimeve dhe pjesë e delegacionit.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri i bën thirrje Thaçit të reflektojë dhe respektojë Kushtetutën pasi thotë se nuk është i mandatuar për të zhvilluar bisedime me palën

serbe.

As ai (presidenti, as opozita nuk mund të bisedojë, përveç kryeministrit. Nëse kryeministri nuk e merr përgjegjësinë atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Presidenti duhet me largu egon e vet dhe yryshin që ka marrë.
Nëse Kuvendi e aprovon mund të shkojë në bisedime, atëherë ka një mandat, përndryshe shkuarja pa pyetur askënd jo veç që është e papranueshme por edhe turp, sepse shkelet Kushtetuta dhe pastaj sigurisht që nuk mund të presësh as rezultate
”, thotë Gaxherri për tesheshi.com.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi pohon se Thaçi ka dëshmuar se nuk i mbron interesat e vendit dhe se ka dështuar në dialog.

Nuk mund ta caktoj vetveten si kryenegociator. Kuvendi duhet ta zgjedh udhëheqësin dhe ekipin e bisedimeve”, thotë Kurteshi për tesheshi.com.

Ai më tej thotë se shkuarja në bisedime me Serbinë s’është çështje frike apo guximi, por çështje përgjegjësie, bërje e një platforme e cila flet për orientimin dhe synimin që ka Kosova për një konsensus nacional.

Duhet të bëhet së pari një analizë e dialogut lidhur me marrëveshjet dhe rezultatet e arritura, pra çka ka përfituar Kosova nga bisedimet nga viti 2011 dhe pastaj të merremi vesh për vazhdimin e dialogut që do përfundonte me njohjes e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe më pas të gjitha marrëveshjet mes palëve të jenë në frymën e dy shteteve sovrane”, thotë Kurteshi.

Kujtojmë se Thaçi gjatë raportimit para kabinetit qeveritar tha se takimi i radhës në Bruksel do të mbahet në një të ardhme të afërt, por nuk dha një datë të caktuar. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit