Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar sot një memorandum për realizimin e projektit “Renovimi dhe pajisje me inventar të shkollës Elena Gjika” në Prishtinë, ndërsa të dyja palët u shprehën të kënaqura me bashkëpunimin e dyanshëm.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti me rastin e nënshkrimit të Memorandumit falënderoi TIKA-n për bashkëpunimin e vazhdueshëm me theks në fushën e arsimit me Komunën e Prishtinës.
“Ky është projekti jonë i radhës që bëjmë se bashku me TIKA-n falënderoj për ndihmën e vazhdueshme që i ka bërë Komunës se Prishtinës duke filluar me fermerët në bujqësi, me renovimin e çerdheve si në kryeqytet po ashtu edhe ne qytete të tjera të Kosovës, restaurimin e xhamisë, ndërsa sot kemi nënshkruar një marrëveshje që ka të bëjë më arsimin. Përveç që është shkolla më e vjetër, kjo shkollë ka qenë në gjendje te rëndë sa i përket infrastrukturës, me bashkëfinancim e kemi rinovuar mirëpo financimi më i madhë ka qenë nga TIKA”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari Ahmeti ka premtuar se shkolla do të jetë e gatshme me fillimin e vitit të ri shkollor, gjegjësisht në shtatorë.
“Inventarin komplet të shkollës do ta përfundojmë, kemi edhe pjesën tjetër që e kemi të fushës sportive që ka qenë e domosdoshme në këtë fazë, pjesën më të madhe të financimit kryhet nga TIKA, do të bëhet me procedura të përshpejtuara që të jetë e gatshme në shtator për fillimin e mësimit”, ka thënë ai.
Ahmeti gjithashtu ka njoftuar se Komuna e Prishtinës dhe TIKA kanë bërë marrëveshjen edhe për ndërtimin e Qendrës së Autizmit dhe Sindromës Down.
“Na pret edhe projekti me i madh i përbashkët për Qendrën e Autizmit dhe Sindromës Down e cila ka përfunduar si marrëveshje vetëm ka mbetur edhe definimi i shumës së saktë”, tha Ahmeti, raporton Kosova Post.
Ndërsa, Koordinator i TIKA-s për Kosovën, Hasan Burak Ceran ka kujtuar me këtë rast se marrëveshja e sotme do të jetë finalizim i projektit për rinovimin e tërësishëm të kësaj shkolle dhe pajisjen me inventar adekuat.
“Sot këtu nënshkruam Memorandumin për realizimin e projektit për rinovimin e pjesëve të mbetura dhe pas rinovimit do ta pajisim shkollën me inventar”, tha Ceran duke u shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur deri me tani me Komunën e Prishtinës.
Ai shpreson që ky bashkëpunim do të vazhdoj tutje jo vetëm me Prishtinën por edhe me qytete tjera.
“Prishtina si kryeqytet është i rëndësishme për neve, jo vetëm Prishtina, por edhe në qytetet e tjera jemi duke punuar dhe investuar në shkolla, çerdhe. Kështu në Mamushë kemi bërë një aneks dhe brenda vitit 2018 do ta inaugurojmë edhe atë. Gjithashtu së shpejti do të përfundojmë edhe me punët në çerdhen e Drenasit dhe Podujevës.
Ceran ka folur edhe për realizimin madhor në Prishtinë atë të ndërtimit të Qendrës së Autizmit dhe Sindromës Down, ndërsa tha se së shpejti do të fillohet edhe ky projekt.
Ceran ka përmendur edhe projektet e TIKA-s në Kosovë në fushën e trashëgimisë kulturore, projekte këto siç tha ai do të realizohen së shpejti në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Bëhet e ditur se TIKA ka projekte edhe për bujqësinë në Kosovë, madje siç tha Ceran, projekti në bujqësi do të jetë një projekt i madh./Kosova Post/



