
Pakistani ka mohuar pretendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) që kanë të bëjnë me bisedën telefonike midis sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe kryeministrit pakistanez Imran Khan.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Muhammed Faysal, shkroi në llogarinë e tij në Twitter se nuk janë të vërteta pohimet e DASH-it, se gjatë bisedës telefonike Pompeo “ka vënë theksin te rëndësia e një lufte më të ashpër kundër të gjitha grupeve terroriste që veprojnë në atë territor”.
Faysal thotë se gjatë bisedës në fjalë, fare nuk është diskutuar mbi këtë temë. “Gjatë bisedës, nuk janë përmendur fare grupet terroriste të cilat veprojnë në territorin e Pakistanit. Nga këtu, adresojmë një ankesë në pohimet e tilla të pavërteta”, shkroi Faysal, i cili bëri thirrje për korrigjim të këtij gabimi.
Zëdhënësja e DASH-it, Heather Nauert, në një konferencë për mediat tha se Pompeo, është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë e re pakistaneze, për të shtuar se nevojitet një luftë më e ashpër kundër të gjitha organizatave terroriste që veprojnë në territorin pakistanez.
Pompeo pritet të udhëtojë për një vizitë në Pakistan, e cila sipas paralajmërimeve do të realizohet më pesë shtator, me çka do të jetë ministri i parë i Jashtëm të cilin do ta presë kryeministri i ri i Pakistanit, Imran Khan./Rtv Islam/


