
Në referendumin e mbajtur dje votuan 666.743 qytetarë ose 36.91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar prej 1.806.336 në listën zgjedhore, bëri të ditur Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë (KSHZ), nga 100 për qind e të dhënave të përpunuara.
Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?, “për” kanë votuar 91,46 për qind, apo 609.813 qytetarë, ndërsa “kundër” janë prononcuar 5,65 për qind apo 37.700. Vota të pavlefshme janë 19.221 fletëvotime apo 2,89 për qind.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski tha se sipas rezultateve të konfirmuara, vendimi nuk është miratuar sepse nuk kanë votuar gjysma e qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore.
Raporti i KSHZ-së do të publikohet në Gazetën zyrtare në afat prej 15 ditëve, ndërsa do të parashtrohet në Kuvend dhe do të publikohet në ueb faqen e Komisionit.
Rikujtojmë se referendum u mbajt pas Marrëveshjes së arritur në qershor mes Maqedonisë dhe Greqisë, që parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Referendumi ishte konsultativ dhe ligjërisht jo-obligues.
Pas mbajtjes së referendumit, sipas asaj që parashihet, vendimin final për Marrëveshjen me Greqinë duhet ta marrë Kuvendi i Maqedonisë, ku për ndryshimet kushtetuese do të nevojitet vota e dy të tretave të deputetëve.
Sipas Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin, pas procedurave të zbatuara në Maqedoni, nevojitet që kjo marrëveshje të ratifikohet edhe në Kuvendin e Greqisë./Rtv Islam/


