
Në komunën e Gjakovës, në fshatin Rogovë, është bërë përurimi i projektit të furnizimit me pajisje mjekësore të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF), projekt i financuar nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).
Në një fjalë rasti ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, duke u shprehur se institucionet e Republikës së Turqisë po realizojnë projekte shumë të rëndësishme në Kosovë, tha se prioritet u kushtojnë projekteve në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë.
“Ndjejmë një gëzim të madh për të kontribuar në zhvillimin e të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës, të cilën e shohim si shtet vëlla dhe mik, me shërbimet e ofruara në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit. Këto projekte në një anë janë edhe tregues të dashurisë dhe interesimit të treguar nga populli turk për popullin e Kosovës. Për neve shpërblimi më i madh për këto projekte të cilat i realizojmë pa patur asnjë pritje, është lumturia e popullit dhe miqve tanë kosovarë, të cilët nëpërmjet tyre do të marrin shërbime më të mira”, tha ajo.
Komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, u shpreh se në projektet e realizuara i kushtojnë rëndësi fokusimit në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë, duke shtuar se e para kontribuon në të ardhmen e fëmijëve, kurse e dyta në të sotmen e Kosovës. “Ndjej një gëzim të madh për atë që mësova se me këtë projekt do të ofrohet shërbim për rreth 17 mijë persona”, tha ai.

Kurse kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, falënderoi Republikën e Turqisë përmes ambasadës, KFOR-it Turk dhe TIKA-s, duke u shprehur se ky nuk është investim i vetëm që ka ndodhur këtë vit në Gjakovë, ku përmendi projektin e rinovimit të konviktit në Gjakovë, si dhe marrëveshjen për rehabilitimin e Mejtepit Ruzhdije me TIKA-n.
Duke u shprehur se sot këtu po përurohet edhe një donacion tjetër shumë i vlefshëm për gjithë qytetarët e këtij rajoni, Gjini theksoi se tani më kjo qendër do të jetë qendra më e pajisur e mjekësisë familjare ndër fshatrat e kësaj komune. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës, por ai edhe mes Gjakovës dhe institucioneve të Turqisë në Kosovë do të rriten.
Pas fjalimeve pjesëmarrësit, në mesin të cilëve ndodheshin edhe përfaqësuesit komunalë, të KFOR-it Turk dhe të stafit mjekësor të qendrës, vizituan qendrën dhe panë nga afër pajisjet e ofruara nga KFOR-i Turk.
Kujtojmë se projekti është financuar nga Republika e Turqisë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarak-Civil të KFOR-it Turk. Në kuadër të këtij projekti Qendra e Mjekësisë Familjare Rogovë është furnizuar me disa pajisje mjekësore./Rtv Islam/


