
Për të garantuar sigurinë e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, do të ketë reformim të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), tha në konferencën e sotme për media ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski.
Ai tha se abuzimi i shërbimeve të sektorit të sigurisë, veçanërisht i DSK-së, shkaktoi një krizë serioze politike në vend dhe rrënoi reputacionin e demokracisë.
“Sistemi i sigurisë dhe kundërzbulimit paraqet një mekanizëm thelbësor për mbrojtjen e shtetit dhe qytetarëve nga ndikimet negative dhe mundëson institucionet e shtetit të merren me kërcënimet dhe rreziqet globale të sigurisë”, ka thënë ministri Spasovski
Sipas tij, kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë në botë janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe në ndikim të grupeve të ndryshme të interesit ndërsa Maqedonia nuk bën përjashtim për shkak të pozitës së saj.
“Anëtarësimi në BE dhe NATO nënkupton ekzistencën e shërbimeve që do të jenë të barabartë me homologët e tyre nga vendet aleate. Ndërkaq kjo mund të arrihet vetëm përmes një reforme gjithëpërfshirëse”, tha Spasovski.
Drejtori i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Goran Nikolovski, theksoi se si profesionist është shumë i kënaqur me vendimin politik për të reformuar DSK-në.
“Në fund të këtij procesi, si një profesionist do të jem i kënaqur, sepse besoj se ne do t’ia dalim të zgjedhim një model që do të garantojë shërbim profesional, të departizuar, i cili do të jetë shumë transparent në punën e tij, por edhe do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e shtetit dhe të punojë në interes të qytetarëve”, theksoi Nikolovski, në konferencën për media.
Ministri Spasovski, në seancën e sotme të Qeverisë, do të propozojë informata ku do të sqarojë arsyet rreth nevojës për një reformë të tillë./Rtv Islam/


