
Tre ditë pas përplasjeve të dhunshme mes policisë dhe banorëve të “Astirit” para Parlamentit, kryeministrit Edi Rama nuk i ka dal ende inati me trajtimin që i bëri opozita lëndimit të 12 efektivëve.
Në një aktivitet të Ministrisë së Brendshme, ku u prezantua flota e re e makinave të policisë, Rama sulmoi opozitën, që e cilësoi nxitëse të protestës së dhunshme.
E teksa kryedemokrati Lulzim Basha nga “fushëbeteja”, pra zona e “Unazës së Re” e kishte akuzuar se i nxori policët të patrajnuar përballë banorëve, Rama e kritikoi ashpër rivalin e tij politik.
Shefi i qeverisë tha se 24-vjeçarja Ina Muka, efektivja që u plagos nga shpërthimi i një mjeti piroteknik, “mund të ishte dëshmorja e parë police e rënë në krye të detyrës, nëse nuk do të kishte vepruar me shpejtësi për të hequr kapsollën”.
“Jo më larg se 48 orë në parë një efektive e Policisë së Shtetit mund te kishte humbur jetën. Ishte shpejtësia e reagimit të saj që bëri të humbte vetëm gishtat e njërës dorë. Ajo vajzë i përket gjeneratës së të rejave dhe të rinjve të shkolluar në Akademinë e riçelur të Sigurisë. Akademia që u mbyll për vite të tëra, duke ndërprerë një cikël trajnimesh të pazëvendësueshëm për Policinë e Shtetit. “Humbi gishtat se nuk ishte e trajnuar”, u tha nga ata që janë shkaktarë të nxitjes së dhunës, për përdorimin e lëndëve plasëse, që kodi penal e dënon si krim të rëndë. Ajo vajza dhe shumë të rinj të tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Sot do të kishim një tjetër dëshmore dhe mesa di, të parën dëshmore të Policisë së Shtetit”, u shpreh Rama./Top Channel/


